Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar komunikoi se besueshmëria e qeverisë shqiptare po cënohet prej rikthimeve të detyrimeve të prapambetura ndaj investimeve publike në infrastrukturë dhe në rimbursimin e TVSH-së.
Të dhënat tregojnë se detyrimet e prapambetura kanë arritur në 24.5 miliardë lekë (200 milionë euro) deri në shtator të vitit 2018. Kjo shumë, që është sa 1.5 përqind e PBB, dominohet nga borxhet e qeverisë qendrore me rreth 17 miliardë lekë dhe nga borxhet e qeverisë lokale me mbi 7 miliardë lekë.
Nga borxhet e qeverisë qendrore , 11.3 miliardë lekë janë detyrime për TVSH -në e parimbursueshme dhe 6.1 miliardë lekë detyrime të tjera kryesisht ndaj investimeve publike në infrastrukturë.
Në raport me fundin e vitit 2017, borxhi i fshehur u ul në rreth 300 milionë lekë për TVSH, por u rrit po në këtë masë për detyrimet e infrastrukturës. Sipas stafit të Fondit, ekziston një nevojë urgjente për menaxhimin e likuiditetit dhe borxhit.