November 23, 2024

Ekonomi/ Bie Importi i cigareve

Të dhënat e Ministrisë së Financave, të cilat nuk janë publikuar që nga gushti i vitit të kaluar por që u morën nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregojnë se importi i ligjshëm i cigareve në Shqipëri ra me rreth 8% ose me mbi 223 tonë gjatë periudhës janar-nëntor 2018, duke sjellë rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga ky produkt me rëndësi të madhe fiskale.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit nga cigaret ranë në 19 miliardë lekë gjatë kësaj periudhe, sipas buletinit mujor të administratës doganore.

Importi i duhanit ka rënë në mënyrë masive gjatë viteve të fundit. Në dekadën 2004-2013, në Shqipëri importoheshin mesatarisht 4 mijë tonë cigare ndërsa në periudhën 2014-2017, importi i cigareve ra në mesatarisht 2900 tonë, me një diferencë prej mbi 1 mijë tonësh në vit. Viti më i dobët në importin e cigareve ishte 2015, kur importi i ligjshëm ishte vetëm 2500 tonë. Shkaqet e rënies së importit mbeten të paqarta.

Qeveria aktuale ndoqi një politikë agresive sa i përket taksimit të duhanit me synimin e rritjes së të ardhurave buxhetore, por kjo rritje taksash duket se nuk u shoqërua me rritjen e dëshiruar të të ardhurave. Kështu, akciza e cigareve ishte 70 lekë për paketë në vitin 2013 në 110 lekë për paketë më 2015. Në vitin 2016, qeveria vendosi të tërhiqej nga rritja e mëtejshme e akcizës që kishte planifikuar për vitin 2017, nga frika se kjo do të sillte një rënie të mëtejshme të të ardhurave.

Rritja e çmimit të duhanit sjell në mënyrë indirekte rënie të lehtë të konsumit, por në rastin e Shqipëriisë, kjo rritje ka gjasa shoqërohet me zhvendosjen e konsumit drejt produkteve zëvendësuese të duhanit, si duhani i hapur prodhim artizanal vendës, i cili në një masë të gjerë nuk i nënshtrohet taksimit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com