December 25, 2024

Turku Nejdet Cesuroglu, u gjet i vdekur në Prishtinë

Turku Nejdet Cesuroglu është gjetur i vdekur më 2 dhjetor 2018 në Prishtinë në një dhomë ku policia e Kosovës gjeti edhe tre valixhe të mbushura me 113.5 kg heroinë, njoftoi prokuroria shqiptare sot. Gjykata e Krimeve të Rënda pati caktuar masën e sigurisë Arrest me Burg në mungesë për këtë shtetas por ndërkohë policia e Kosovës ka njoftuar autoritetet shqiptare për zbulimin e Cesuroglu pa jetë në Prishtinë dhjetorin e kaluar.

Prokuroria thotë se shtetasi turk dyshohet të ketë qenë pjesë e një organizate të madhe të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku përfshihet edhe laboratori i zbuluar më 18 tetorin e vitit të kaluar në zonën e Hasit në Shqipëri. Cesuroglu ishte 50 vjeç.

Dosja e njohur në publik për numrin rendor 339 i përket hetimeve të nisura më 28 dhjetor 2016, fillimisht nga një referim nga policia gjyqësore e Kavajës. Hetimi i nisur për veprat penale “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “trafikimit të narkotikëve, grupit të strukturuar kriminal” si dhe “kryerjes së veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, zgjati dy vjet ndërsa në tetorin e kaluar, policia shqiptare kreu një operacion masiv të shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë, përfshirë Shijakun, Shkodrën, Lezhën, Sarandën, Tiranën, Fierin e Vlorën.

Ndërkohë, nga bashkëpunimi edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase e të huaja, është konkluduar se, ka të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e disa grupeve kriminale që kanë vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, si Gjermani, Angli, Hollandë, Itali, Turqi, etj,.

Më 24 tetor të vitit të kaluar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda u zhvillua seanca e verifikimit të masës së sigurisë së caktuar ndaj 44 personave në kuadër të operacionit VOL-VO4, të proceduar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal të shtrirë në gjithë vendin e të përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe tjetërsimin e pronave. Mes të ndaluarve ishin edhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Në një investigim të pak ditëve më parë, BIRN zbuloi të dhëna nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e burgjeve, Arben Çuko, qe nder te tjera ekspozonin farsen e konkurseve,publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Organizata e goditur gjatë operacionit VOL-VO4, kur u ndaluan edhe dy ish-deputetët socialistë ishte përfshirë në një sërë aferash korruptive, duke ushtruar ndikim te funskionarë të administratës.

“Gjatë gjithë hetimit rezultoi se pjesëtarët e këtij grupi kriminal, kryenin edhe vepra të tjera penale, si korrupsion në sektorët publikë të ndryshëm, hipotekë, polici, bashki, dhe institucione të tjera të administratës shtetërore, për të cilat po vazhdojnë hetimet në vijimësi”, tha atëherë gjatë një konference për shtyp drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

Ish-deputeti i PS Arben Ndoka “dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”. Ndërsa Arben Çuko i cili deri një muaj para arrestimit ishte Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve u ndalua për “korrupsion pasiv”, për transferimin e një të dënuari.

Facebook Comments

MineralHygienics.com