December 25, 2024

Gjykata e Lezhes/ Ja kush posedon 5.2 milion euro dhe 7 apartamente

Prokuroria e Lezhës kërkoi dhe mori miratimin e gjykatës për sekuestrimin e llogarive bankare me vlerë 5.2 milion euro, ndërsa mori në hetim Pjetër V. 83 vjeç dhe të bijën Shqipe P. 50-vjeç. Bashkëshorti i 50 vjeçares i quajti të pavërteta akuzat e prokurorisë.

Gjykata e Lezhë miratoi kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi për të vendosur nën sekuestro llogari bankare me vlerë 5.2 milion euro dhe 7 apartamente. Në një njoftim për shtyp të policisë së Lezhës bëhet me dije se hetimet dhe sekuestrimi janë bërë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ndërsa kanë nisur hetimet ndaj dy personave të dyshuar për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

“Me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj Gjykata e Rrethit Gjyqesor Lezhë me vendimin nr. 17 datë 23 janar 2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare si dhe të 7 apartamenteve në Lezhë dhe Tiranë”, thuhet në dispozitivin e vendimit të gjykatës. Ndërkohë sipas prokurorisë nën hetim ishin vënë Pjetër V. 83 vjeç dhe e bija Shqipe P. 50 vjeç, për llogari të të cilëve ishte kryer transferta e parave nga Zvicra.

Në një bisedë telefonike bashkëshorti i 50-vjeçares mohoi akuzat. “Asgjë nuk është e vërtet”, tha ai ndërsa aludoi se pas veprimeve të policisë e prokurorisë kishte motive të tjera. Ai tha se kishte dokumente për të vërtetuar se si ishte kryer transferta e parave, ndërsa tha se paratë nuk ishin nisur për bashkëshorten e tij, por për babain e saj.  Ai tha se çdo gjë ishte bërë në rrugë zyrtare dhe përmes bankave.

Ndërkohë policia dhe prokuroria pretendojnë se ka dyshime të arsyeshme për të filluar hetimet.  “Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale në prokurori mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale. Prokuroria nisi procedimin penal për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com