Gent Cakaj do të jetë zyrtarisht ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Kryeministri Edi Rama i kaloi sot kompetencat e tij si ministër i Jashtëm Cakajt, megjithëse, presidenti Meta nuk e dekretoi propozimin e Cakajt për nje sere arsyesh.
“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm, i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, brenda dhe jashtë vendit, dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri Rama, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës në ministri.
Është e paqartë se si Gent Cakaj do të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, pasi sipas Kushtetutës zëvendësministrat nuk kanë të drejtë vote në këto mbledhje.
Zëvendësministri Cakaj, 28 vjeç, e filloi fjalimin e tij duke lavdëruar udhëheqjen e Kryeministrit Rama dhe duke nënkuptuar sulmet e Presidentit Meta tha:
“Nuk di si ta falenderoj Ramën për besimin që më ka dhënë. Pas kalimit të valës së parë zjarrit të pakursyer për mua, ndjehem disi më i lehtësuar, kjo mbi të gjitha për një shkak tepër të fortë sepse të qenit drejtues me kompetenca të deleguara, nën vëzhgimin e tij të afërt, është një start i garantuar në dritën e zjarrit të akuzave të pabaza dhe paragjykimeve.”
Kryeministri Rama u betua si ministër i Jashtëm një ditë më parë përpara Presidentit Meta.
Propozimi që Rama të ishte ministër i jashtëm erdhi pasi Presidenti Meta nuk dekretoi Gent Cakajn, të propozuarin e Ramës si ministër. Sipas përgjigjes së Metës, kandidatura e Gent Cakajt nuk i plotësonte kushtet e nevojshme për të mbajtur postin e ministrit të Jashtëm, ka shkelur ligjin gjatë kohës që ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Jashtëm dhe se procesi që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK) ka ndjekur për të pajisur Cakajn me certifikatat e sigurisë është bërë në shkelje të ligjit.