November 23, 2024

Gazmend Bardhi: Gjoba nje vendim qesharak, do apelojme kunder tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u dënua me 50 mijë lekë gjobë të hënën për shpifje ndaj deputetit socialist, Taulant Balla. Vendimi u shpall nga gjyqtari Gerd Hoxha i Gjykatës së Tiranës, i cili i dha të drejtë padisë së bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me akuzat për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”.

Në vendim argumentohet se deklaratat e bëra botërisht nga i akuzuari Lulzim Basha kanë qartësisht natyrë shpifëse ndaj viktimës Taulant Balla.

“Për pasojë, gjykata çmon se, i akuzuari Lulzim Basha ka konsumuar plotësisht elementët e kundravajtjes penale të shpifjes së kryer botërisht, në dëm të viktimës akuzuese Taulant Balla dhe rrjedhimisht Basha duhet të deklarohet fajtor për këtë vepër penale,” thuhet në vendim.

Gjyqtari ka vendosur dënimin e Bashës me 50 mijë lekë gjobë dhe shlyerjen e saj brenda një afati 6 mujor nga marrja e formës së prerë.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës u duartrokit nga deputeti Taulant Balla dhe u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi ligjor i Bashës në këtë çështje, Gazmend Bardhi.

“Ky vendim i sotëm është qesharak. Ka folur Policia e Shtetit, tha gjyqtari dhe Taulant Balla nuk ka lidhje me këtë çështje. Ky është asgjësim i prokurorisë,” deklaroi Bardhi, i cili paralajmëroi apelimin e vendimit.

Në seancën e 14 janarit, prokurori i çështjes Agron Gjana gjatë konkluzioneve përfundimtare u shpreh se nuk arrihej të provohej fajësia e Bashës, ndaj kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se nuk plotësoheshin të gjithë elementët e veprës penale.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e cilësoi vendimin e gjykatës si historik.

“Ne politikanët duhet të kuptojmë se përpara se të jemi politikanë, jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi njëlloj. Ky është një vendim historik për të cilin ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë, i pari është Basha që duhet të reflektojë. Sot është shpallur fajtor,” reagoi Balla.

Në qershor të vitit 2018, rreth 3.4 milionë euro u gjetën të fshehura në dy automjete “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit. Disa ditë para sekuestrimit të tyre, Basha deklaroi në parlament se në një makinë tip “Toyota Yaris” që po udhëtonte drejt Shqipërisë ishte fshehur një sasi e madhe valute e garantuar nga një deputet socialist, të cilit Basha nuk ia përmendi emrin.

Pas kapjes së parave, Basha deklaroi se Taulant Balla kishte qenë garantuesi i hyrjes së kësaj sasie valute nëpërmjet Portit të Durrësit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com