November 23, 2024

Biznese VIP, të përfshirë në skemën e mashtrimit me TVSH-në

Nëntë nga 12 të arrestuar si administratorë të kompanive fiktive pjesë e një skeme mashtrimi me TVSH-në me një dëm 18 milion euro u lanë me masë sigurie detyrim paraqitje nga Gjykata e Tiranës. Për tre prej tyre u caktua masë sigurie e arrestit me 30 ditë.

Të arrestuarit që rezultojnë se kanë firmosur si administratorë kompanish, të cilat kryenin shit-blerje fiktive janë kryesisht punëtorë të thjeshtë, roje objektesh, kamarier apo lavazhier, ndërsa prokuroria bëri me dije se ende po hetohej për të identifikuar përfituesit e vërtetë të skemës. Ndërsa në një përgjigje me shkrim për BIRN Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha se në skemë ishin përfshirë  “një numër i madh subjektesh VIP”, të cilët ishin ende në hetim.

Avokati mbrojtës i një pjese të të akuzuarve Enea Cenko i tha BIRN se të mbrojturit prej tij ishin të varfër dhe nuk kishin mundësi as të paguanin qiratë mujore dhe se ishin mashtruar me premtime për tu bërë administrator. Edhe në kërkesën e prokurorisë për masë sigurie vihet në dukje se një pjesë e të akuzuarve punonin ndërkohë në punë të tjera dhe një prej tyre ishte roje objekti, ndërkohë që figuronte pronar i një kompanie që kishte kryer rreth 140 milion lekë shit-blerje.

Bizneset VIP

Në një përgjigje me shkrim për BIRN Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që ka iniciuar hetimit thotë se pas skemës së denoncuar ishin kompani VIP. Një kategori biznesesh që konsiderohen si “tatim pagues të mëdhej” dhe që ndiqen nga një zyrë e posaccme e tatimeve.

“Në këtë skemë mashtrimi, ku ndër të tjerë janë të përfshirë edhe një numër i madh subjektesh VIP, në njërën anë në cilësinë e shitësave gjenden subjekte importues apo distributorë të produkteve ushqimore etj, ndërsa në anën tjetër në cilësinë e subjekteve blerës, gjenden një numër i madh subjektesh të tjerë me aktivitet kryesisht në fushën e ndërtimit”, thuhet në informacionin që BIRN mori nga DPT.

Prokuroria dhe DPT nuk bëjnë me dije emrat e këtyre bizneseve të mëdhej të përfshirë, por njoftojnë se ndërkohë vijojnë hetimet. Të afërm të të arrestuarve po ashtu i thanë BIRN në kushte anonimati se ata nuk ishin përfitues, ndërsa pranuan se familjarët e tyre kishin firmosur dokumentet që kishin mundësuar mashtrimin.

Avokati Cenko, pohoi qër BIRN se, edhe pse ndalimet dhe masat e sigurisë janë të ligjshme, të arrestuarit janë njerëz të varfër. Ai shtoi se ata janë bërë pjesë e skemës së mashtrimit me premtime për t’u bërë administratorë. Por, sipas avokatit Cenko, disa prej tyre nuk kanë mundësi as të paguajnë qiratë e banesave ku jetojnë.

Ndërkohë DPT bën me dije së të përfshirë në skemë janë dhe një numër bankierësh në banka të nivelit të dytë dhe disa zyra kontabiliteti. “Po hetohen disa zyra kontabiliteti, zyra noterie, punonjës të bankave të nivelit të dytë etj, të cilët dyshohen se në bashkëpunim kanë realizuar të gjithë procesin, duke nisur që nga krijimi i këtyre subjekteve fiktivë, realizimi i lidhjes së këtyre subjekteve me palët shkarkuese dhe ato përfituese nëpërmjet faturimeve e deri tek transaksionet bankare”, thuhet në informacionin e DPT.

Skema e mashtrimit

Sipas tatimeve e prokurorisë, administratorët e këtyre subjekteve fiktive, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tretë, kanë krijuar një skemë mashtrimi me qëllim përfitimin e TVSH-së dhe shmangien e pagesave reale të tatimit mbi fitimin.

“Kjo veprimtari kriminale ka funksionuar, duke bërë të mundur që subjektet importues të shkarkonin inventarin e tyre duke kryer shitje fiktive, me qëllim që subjektet e ndërmjetëm të krijuar posaçërisht në funksion të kësaj skeme më pas kryenin shitjet e tyre në subjektet përfituese që operojnë në fushën e ndërtimit”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së tatimeve.

“Kompanitë fiktive blinin domate, kryesisht nga kompani të importit të mallrave ushqimorë që mbulonin shitjet e bëra pa TVSH dhe shisnin beton, duke shkarkuar TVSH-në e kompanive të treta,” tha prokurori Tavani në mënyrë figurative.

Tatimet thonë se dëmi që i shkaktohet shtetit nga krijimi i këtyre skemave, konsiston në shmangien e pagesës reale të TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin, gjë që realizohet nga ana e firmave të ndërtimit duke rritur shpenzimet nëpërmjet blerjeve fiktive me TVSH.

Ndërkohë, të premten janë liruar shumica e “administratorëve” të kompanive fiktive, ndalimi i të cilëve u njoftua një ditë më parë. Gjyqtarja e çështjes, Adriana Bera ka vendosur të premten gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë që të vlerësojë të ligjshëm të gjithë ndalimet, ndërkohë që ka lënë në detyrim paraqitje nëntë prej tyre dhe tre të tjerë arrest në burg me afat 30 ditor.

Konkretisht gjykata vendosi burg për një muaj për Bledar M., Kudret M., Gentjan D. Ndërsa u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Rigerta B., Erald S., Anita B., Satiljano Ç., Myftar B., Kristi Rr., Hasim Ç., Aleksandër G. dhe Gerti L. Të shtunën pritet të caktohet masa edhe për një tjetër të ndaluar.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten arrestimin e 13 personave, ndërsa u tha se 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për 25 administratorë të kompanive të dyshuara fiktive, të cilat pasi lëshonin fatura false me TVSH të blerjes së mallrave ushqimorë prej kompanive të importit, shisnin po ashtu fiktivisht situacione në ndërtim duke u mundësuar kompanive të ndërtimit të ulnin tatimin mbi fitimin.

Prokurori i çështjes Ndini Tavani. Pohoi të enjten për BIRN se hetimet vijonin dhe se për momentin dyshohej që përfitues të skemës të ishin dy apo tre persona të cilët ishin ende në kërkim, ndërsa të arrestuarit që rezultojnë si administratorë kompanish kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për aktivitetin në të cilin i kishin përfshirë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com