Opozita riorganizon veten dhe kërkon rrëzimin e qeverisë Rama me protesta popullore. Qëllimi, që në qershor të këtij viti të mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Revolta e studentëve dhe e banorëve të Unazës së Re mban ende në ankth mazhorancën. A po lind një parti e re politike nga studentët?
Janari politik premton zhvillime intensive me riorganizimin e opozitës, artikulimi gjithnjë e më të shpeshtë për zgjedhje të parakohshme, të mbështetur nga protestat e studentëve dhe të banorëve të Unazës së Re.
Disa studentë kanë marrë nismën më të fundit për krijimin e një partie të re. Ndonëse ende nuk ka një platformë të qartë dhe organizim të brendshëm, krijimi i një tjetër force të nisur si lëvizje dhe që mund të kurorëzohet me një parti të re, ka ditë që qarkullon mes studentëve. “Disa studentë, me mbështetjen e emigrantëve dhe intelektualëve kanë marrë nismën për të themeluar një Parti të re Politike. Partia do të quhet “Shpresë për Shqipërinë”.
Kjo parti nuk do të ketë një kryetar, por një Këshill Kombëtar Koordinatorësh. Kjo parti është një parti e frymëzuar nga studentët, e iniciuar nga disa prej tyre, por që synon të ngjallë shpresën e shqiptarëve dhe të marrim frenat e vendit në dorë”, -thuhet në një njoftim të grupimeve studentore që po qarkullon në rrjetet sociale. “Nisma jonë synon të hedhë poshtë këtë klasë politike dhe t’i japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit pafund.
Ne kërkojmë që t’i kthejmë shpresën shqiptarëve, të ngjallim dëshirën dhe ëndrrën që një ditë ky vend do bëhet. Kërkojmë nga ju, që brenda mundësive të shpalosim platformën tonë në median tuaj”, thuhet në reagim. Revolta studentore e nisur në dhjetor të vitit të kaluar ka pasur edhe jehonë ndërkombëtare, duke e parë zhvillim mjaft interesant atë që po ndodh në Shqipëri. I ndalur në protestën e studentëve, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein e konsideron protestën e studentëve si një evolucion të shoqërisë civile dhe forcim të vizibilitetit të shoqërisë shqiptare.
“Protestat e studentëve janë në radhë të parë një shenjë e mirë, sepse tregojnë që shoqëria civile në Shqipëri po evoluon, si dhe forcojnë vizibilitetin e shoqërisë shqiptare”, u shpreh Flackestein në një prononcim për ABC News. Eurodeputeti shtoi se: “nevoja për të përmirësuar sistemin arsimor përmendet gjithashtu në raportin tim vjetor për Shqipërinë në Nëntor 2018”. Megjithatë ai e konsideron se qeveria po i merr seriozisht pretendimet e studentëve. Përveç protestës së studentëve, nga ana tjetër opozita në takimin e fundit të tre ditëve më parë vendosi të dalë në krye të protestave. Si forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike u avancua në qëndrimin e saj pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar.