November 22, 2024

KLP kundër Arta Markut, rikthen në detyrë prokurorët e Krimeve të Rënda Olsian Çela dhe Besim Hajdarmata

Këshilli i Lartë Prokurorisë votoi të hënën rikthimin në Prokurorinë për Krime të Rënda të dy prokurorëve që u transferuan në rrethe, pas debateve mbi çështjen ‘Shullazi’ me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi të hënën me 6 vota pro dhe 5 kundër rikthimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmata, të cilët u transferuan në shtator në Berat dhe Pogradec nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Vendimi i marrë mes debateve e ndau KLP-në midis anëtarëve të zgjedhur nga radhët e Prokurorisë dhe anëtarëve të zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e avokatisë, akademikëve dhe shoqërisë civile.

Në favor të rikthimit të Çelës dhe Hajdarmatës në Prokurorinë për Krime të Rënda votuan prokurorët Gentjan Osmani, Bujari Sheshi, Antoneta Sevdari, Arben Dollapaj, Kostaq Beluri si dhe pedagogu Sandër Beci.

Kundër vendimit është rreshtuar kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, Nurihan Seiti Metaj, Tartar Bazaj si dhe prokurori Besnik Cani.

Anëtarët e KLP-së që votuan kundër rikthimit kërkuan që çështjet e transferimit gjatë periudhës tranzitore duhej të trajtoheshin në tërësi, duke synuar shtyrjen e trajtimit të kërkesës së dy prokurorëve për deklarimin e mbarimit të caktimit të përkohshëm. Ata mbrojtën gjithashtu idenë se trajtimin e kërkesës mund ta bënin pasi të kishte një vendim të formës së prerë nga gjykata.

“Në këtë rast ne po ekzekutojmë një vendim jo të formës së prerë. Jam kundër se do të afektojë çdo caktim të përkohshëm,” tha prokurori Besnik Cani.

Pozicioni i Canit ka hasur në kundërshtimin e kolegëve të tij nga radhët e prokurorisë, të cilët kanë votuar pro rikthimit në Prokurorinë për Krime të Rënda të Çelës dhe Hajdarmatës.

“Është një problem që duhet trajtuar për çdo rast. Rastet nuk kanë pse trajtohen në bllok,” është shprehur prokurori Bujar Sheshi. “Kemi dhe raste urgjente si Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda që është pa drejtues. Nuk mund të presim në bllok, se do të detyrohemi të mblidhemi në orën 2 të natës pastaj për të dhënë zgjidhje,” ka shtuar ai.

Qasja e Sheshit është mbështetur dhe nga prokurorët Kostaq Beluri dhe Arben Dollapaj.

“Tashmë ka mbaruar edhe periudha tranzitore. Tani KLP duhet të vendosë,” tha Beluri.

“Është detyrë kryesore e jona që të vlerësojmë gjithë komandimet. Mendoj se e drejta e individit prevalon. Nuk mund ta shmangim të drejtën e prokurorit sa të zgjidhen të gjitha problematikat në gjithë vendin,” shtoi Dollapaj.

Vendimi për transferimin e tre prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda, përfshirë Çelën dhe Hajdarmatën, ka qenë një ndër lëvizjet më kontroverse të Arta Markut gjatë ushtrimit të detyrës si Prokurore e Përgjithshme e Përkohëshme.

Kaos te Krimet e Rënda  

Tre muaj më parë, përfaqësimi i akuzës në çështjen e Emiljano Shullazit zhyti në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku 10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa tre prej tyre u transferuan në rrethe periferike, pasi refuzuan një procedurë shorti pas largimit nga dosja të prokurorëve Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi.

Me 1 gusht, prokurorja Ymeraj u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, duke lënë dosjet e hetuara si pjesë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që prokurori tjetër, Ened Nakuçi paraqiti një raport mjekësor 6 mujor.

Për të zhbllokuar situatën, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela  autorizoi paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj për të përfaqësuar çështjen në gjykatë. Hajdarmata u paraqit në seancën e 11 shtatorit, ku u kundërshtua nga avokatët mbrojtës dhe kërkoi kohë për shqyrtimin e akteve të dosjes.

Por më 19 shtator, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela organizoi një mbledhje për hedhjen e një shorti që do të përcaktonte një përfaqësues shtesë të akuzës në dosjen e Shullazit. Mbledhja u shoqërua me debate, ndërkohë që prokurorët e kundërshtuan procedurën e ndjekur si antiligjore dhe braktisën njëri pas tjetrit procesin.

Përplasja u përshkallëzua kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte nisur procedim disiplinor kundrejt 10 nga 17 prokurorët e pranishëm në mbledhje.

Në mbështetje të Donika Prelës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku mori masa ndaj Çelës, Hajdarmatës dhe prokurores Sonila Muharremi, duke i transferuar.

Vendimi i Markut u kontestua nga prokurorët Çela dhe Hajdarmata, të cilët e ankimuan në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Pas përplasjes publike me prokurorët, çështja kundër Shullazit është marrë nga kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela dhe tre drejtuesit e sektorëve, Gentian Osmani, Besnik Muçi dhe Anton Martini.

Me 13 nëntor, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi Shullazin me 14 vjet burg, për zhvatje pasurie, kërcënim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Bashkëpunëtor i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg. Gjykata dënoi gjithashtu të pandehurit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg.

Gjykata kundër Arata Markut

Vendimi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohëshme, Arta Marku për ta transferuar në Berat nuk u prit mirë nga Prokurori Olsian Çela, i cili ka kundërshtuar vendimin nëpërmjet një padie në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Çela ka kërkuar nga Gjykata Administrative konstatimin të pavlefshmërisë absolute të urdhrit 198 të Prokurorit të Përgjithshëm për caktimin e përkohshëm të tre prokuroreve të kësaj prokurorie në tre prokurori të tjera të rretheve gjyqësore.

Sipas Gjykatës, Çela është njoftuar me shkresën e datës 24 shtator për urdhrin nr.198, datë 20.09.2018 të Prokurorit te Përgjithshëm për caktimin e përkohshëm të tij si prokuror në Berat. Paditësi është njoftuar gjithashtu edhe për vendimin nr.208, datë 21.09.2018 të Prokurorit te Përgjithshëm, për fillimin e hetimit disiplinor ndaj tij.

Në kërkesën e tij drejtuar gjykatës, Çela ka pretenduar se urdhri i Markut është absolutisht i pavlefshëm, pasi Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, gjatë periudhës kalimtare deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nuk ka kompetencë të caktojë përkohësisht prokurorët nëpër prokurori të ndryshme.

Paditësi ka pretenduar gjithashtu se Marku përmes urdhrit për caktim te përkohshëm të nxjerrë në të njëjtën ditë me njoftimin për nisjen e hetimit disiplinor, ka aplikuar një masë disiplinore ndaj tij duke mos qenë organi kompetent. Sipas Çelës, urdhri i Markut është gjithashtu një “akt që i mungon tërësisht arsyetimi.”

Pala e paditur ka prapësuar se Prokurori i Përgjithshëm ka ushtruar një kompetence të njohur me ligj. Caktimi i përkohshëm i paditësit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat është bërë “për të mundësuar funksionimin e kësaj prokurorie, e cila aktualisht ka nevojë për shtesë të numrit të prokurorëve.”

Prokuroria e Përgjithshme ka kundërshtuar pretendimet e Çelës se transferimi është bërë si pasojë e qëndrimit të tij në mbledhjen e 18 shtatorit mbi dosjen “Shullazi’ dhe ka shtuar se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka detyrim t’i arsyetojë vendimet për një vartës.

“Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm i ushtron detyrat e tij përmes shprehjes së vullnetit të tij diskrecial si organ individual, përmes akteve administrative dhe është krejtësisht i pavarur në shfaqjen lirisht të vullnetit përmes aktit të tij administrativ,” citohet mbrojtja në vendimin e Gjykatës Administrative.

Në analizën e pretendimeve të palës paditëse dhe prapësimeve, Gjykata vëren se Marku ka pasur të drejtë si Prokuror i Përkohshëm i Përgjithshëm, por ky akt duhej të ishte i arsyetuar.

“Gjykata vlerëson se urdhri bie në kundërshtim me nenin 59 te ligjit nr. 96/2016. Ai nuk është i arsyetuar dhe nuk përmban elementë të domosdoshëm të kërkuar shprehimisht prej këtij neni, të tilla si data e fillimit dhe mbarimit të periudhës kohore, në të cilën pozicioni mund të plotësohet përkohësisht,” shkruan gjyqtarja Afërdita Maho, duke pranuar pjesërisht padinë dhe duke shfuqizuar urdhrin e Arta Markut.

Facebook Comments

MineralHygienics.com