December 26, 2024

Ndryshimet ligjore të PS-së që shpëtuan Balilin e Frrokun nga ekstradimi

Exit.al ka shpjegur sot ne nje artikull mbi ndryshimet ligjore te PS-se e cila si rrjedhoje ka shpetuar Balilin dhe Frrokun nga ekstradimi.

Shkrimi si me poshte:

Klement Balili megjithëse është shpallur në kërkim nga policia greke që në maj 2016, nuk do të mund të ekstradohet në Greqi. Kjo pasi ndër të tjera, siç Exit.al ka shpjeguar më parë, Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar rishtazi e ndalon këtë gjë.

Por, si e ndryshoi shumica socialiste e Kodit të Procedurës Penale?

Neni i Kodit të Procedurës Penale nga i cili Balili përfiton të drejtën të mos esktradohet është neni 491, që në pikën f) parashikon:

“Nuk mund të jepet ekstradimi:
f) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe.”

Ky nen u ndryshua dhe u soll në këtë përmbajtje, në maj të 2018-ës, nga shumica socialiste.

Më parë neni 491, pika f) parashikonte se i dënuari nuk ekstradohet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

Ndryshimet e propozuara dhe miratuara nga shumica socialiste, në maj 2018, u kundërshtuan nga opozita dhe ngjallën debate të forta në opinionin publik, pasi u panë si ndryshime të nxitura nga ish-ministri Xhafaj për të favorizuar mos ekstradimin e vëllait të tij të dënuar më parë në Itali. Por këto ndryshime u mbështetën nga ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin, e cila deklaroi se ndryshimet e Kodit Penal në nenin 491 janë bërë në përputhje me standardet evropiane.

Nga ndryshimi i këtij neni kanë përfituar dhe të dënuar të tjerë në vende të Europës dhe parashikohet që të përfitojnë dhe disa prej të arrestuarve ende në gjykim. Kështu:

Edmond Bego u dënua në Itali me 21 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe ligjit për amnistinë të parashikuar nga legjislacioni italiani, dënimi i tij u ul në 11 vite nga Gjykata e Kasacionit në Itali, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Në vitin 2009, Edmond Bego u arrestua në Tiranë. Ai kërkoi njohjen e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit Torino.

Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Lartë, ku për shkak të aplikimit të ligjit për aministinë dhe gjykimit të shkurtuar sipas legjislacionit shqiptar dënimi u ul në katër vjet e katër muaj. Ai qëndroi vetëm një vit në burg. Më pas, Gjykata e Krujës vendosi lirim me kusht për sjellje të mirë.

Grupi kriminal Bajri i njohur për aktivitetin e tij kriminal në trafikun e drogës, gjobvënie dhe trafik të qënieve njerëzore, po ashtu ka përfituar.

Safet Bajri u dënua me 22 vjet burg në Belgjikë për trafikim të qënieve njërëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai u dënua dy herë — fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Në total ai duhet të vuajë 22 vite burg.

Safet Bajri është një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale Bajri, ku bëjnë pjesë edhe Enver Bajri, Ilir Bajri (Rustemi) dhe Behar (Brajgoviq) Bajri, të gjithë vëllezër e kushërinj të parë.

Behar Bajri dhe Ilir Rustemi u arrestuan nga policia shqiptare, në vitin 2016, pas një atenati me armë, në Shkodër, ndaj Donald Shtjefnit. Por ata u liruan në rrethana ende të paqarta.

Safet Bajri u arrestua, nga policia shqiptare në shtator 2018. Por ai nuk mund të ekstradohet për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit me Belgjikën. Mbetet e paqartë se si ai do ta vuajë dënimin këtu.

Klement Balili akuzohet nga prokuroria greke për trafik ndërkombëtar droge si koka e një organizate kriminale. Në vitin 2016 shteti grek e shpalli Balilin në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Athinës, e cila kërkoi arrestimin e tij. Në atë kohë Balili mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor Sarandë, ndaj Greqia i bëri kërkesë me shkrim policisë shqiptare për ta arrestuar atë.Duke qenë se Balili nuk mund të ekstradohet në Greqi, ai do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptare.

Kjo për faktin se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka marrëveshje esktradimi, kusht i përcaktuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës për të lejuar estradimin e të arrestuarve.

Mark Frroku u dënua 10 vjet burg, në mungesë, nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Belgjikës për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999, pas disa përplasjes mes bandave në Belgjikë.

Kërkesa e ekstradimit të tij u fsheh për shumë kohë nga zyra shqiptare e Interpolit. Pas bërjes publike të këtij skandali, Mark Frroku u arrestua. Ai u arrestua në Tiranë dhe në vitin 2017. Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda e shpalli atë të pafajshëm për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Belgjikë, për mungesë provash pavarësisht se Prokuroria e Përgjithshme kërkoi 25 vite burg. Dhe, Gjykata e Lartë vendosi kundër ekstradimit të tij në Belgjikë.

Po në prill të 2017-ës, Frroku u dënua nga gjykata e Tiranës me shtatë vjet e gjashtë muaj për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm. Pas tre viteve burg, ai u lirua me kusht nga gjykata e Fierit për sjellje të mirë.

Arben Frroku u shpall në kërkim për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Gjatë gjykimit, Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm për mungesë provash. Ndërkohë, që me të njëjtat prova, Gjykata e Apelit vendosi burg të përjetshëm. Pasi, Gjykata e Lartë e konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm të tij, Frroku iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë.

Ndërkohë në prill të 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme.

Agron Xhafaj u dënua në Itali nga Gjykata e Kasacionit me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge. Agron Xhafaj akuzohet për pjesmarrje në grup kriminal me aktivitet trafikun e drogës.

Ai u dënua pa praninë e tij por u përfaqësua në gjyq nga zyra e shtrenjtë ligjore në Lecce, Giuseppe Bonsegna, në seancën gjyqësore të zhvilluar në Itali.

Ndërkohë, me ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale të kryera nga Fatmir Xhafaj në pozicionin e kryetarit të komisionit të ligjeve, Agron Xhafaj nuk duhej të ekstradohej.

Por, për të shpëtuar vëllain e tij nga skandali, mbas publikimit të një video-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua në Prokurori për të nisur procedurat e ekstradimit drejt Italisë.

Exit.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com