December 26, 2024

Kompanitë e basteve dhe lojërave të fatit vazhdojnë ende aktivitetin online

Pavarësisht se lojërat e fatit u ndaluan me ligj që prej një janarit, disa pika vazhdojnë ende të zhvillojnë aktivitet, dhe kjo duket se nuk çudit askënd.

Sipas ligjit të ri që hyri në fuqi në mesnatë mes 31 dhjetorit dhe 1 janar, të gjitha format e basteve, duke përfshirë llotot, sallat e basteve, kazinotë (përveçse në rezortet turistike me pesë yje), si dhe faqet e internetit të basteve online, janë të ndaluara. Megjithëse shumica e pikave të lojërave të fatit respektuan ligjin dhe më datë 1 janar u mbyllën, ka ende disa pika bastesh që vazhdojnë të ofrojnë shërbimet përmes internetit.

Deri më sot policia ka arrestuar dy pronarë të pikash bastesh që vazhdonin t’i mbanin hapur dyqanet e tyre dhe më datë 1 janar, por është e pamundur që policia të arrestojë ata që operojnë nga jashtë vendit.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit u miratua në tetor 2018 dhe gjeti mbështetjen e qytetarëve, pavarësisht se qeveria dështoi të ofrojë një zgjidhje për punonjësit që humbasin vendin e punës, apo për ata që vuajnë nga varësia nga kumari.

Nuk ka dyshim se lojërat e fatit kanë pasur një ndikim të madh në Shqipëri: një në katër persona nën varësinë e kumarit ka tentuar të vetëvritet së paku një herë në jetë, 70 për qind e tyre përjetojnë stres apo problem të tjera psikologjike për arsye të kumarit, dhe rritja e numrit të bastexhijve ka lidhje të drejtëpërdrejtë me rritjen e dhunës në familje, e cila ka prekur të paktën 50 për qind të grave në Shqipëri. Pavarësisht vlerësimit ndaj qeverisë për këtë vendim, shumë vetëve, përfshirë dhe mua, i kanë lindur pyetje se sa efektiv do të jetë zbatimi i ligjit, dhe se sa do t’i rezistojnë rryshfetit dhe korrupsionit personat përgjegjës – fenomene që kanë dëmtuar shumë nisma të tjera dhe kanë nxitur aktivitete të paligjshme në vend.

Gjatë një kontrolli në faqet online, teksa shkruaja këtë artikull, kishte një numër të konsiderueshëm faqesh që lejonin vizitorët nga Shqipëria të vinin baste online. Shumë faqe të kompanive të basteve jepnin një njoftim që informonte përdoruesit se faqja nuk mund të aksesohet nga Shqipëria. Sidoqoftë, nga 100 faqe bastesh dhe kazinosh që kontrollova, në 47 prej tyre lejohej përdorimi nga Shqipëria.

Pra një sërë faqesh online ku ofrohen baste, poker apo kazino mund të përdoren përmes një adrese IP të Shqipërisë, dhe mbetet ende e paqartë nëse qeveria po punon për t’i futur ato në “listën e zezë”.

Shkruan exit.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com