December 23, 2024

PD-LSI, kërkesë Kuvendit: Hetim për institucionet që certifikuan Genc Cakaj

Partia Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kërkuar sot nga Parlamenti ngritjen e një komisioni hetimor që do të verifikojë veprimet e institucioneve që pajisje me certifikatë të pavlefshme kandidatin për ministër Genc Cakaj.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, deputetët e PD dhe LSI thonë se ky komision do të hetojë: verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK; roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”; arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjell për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE; autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie””.

Ditën e sotme, Presidenti i Shqiperise, Ilir Meta kerkoi ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor, për veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Kjo pasi Gent Cakaj, i propozuar nga Kryeministri Edi Rama për Ministër të Jashtëm, ka qëndruar si zv/ministër i Jashtëm pa certifikatën e sigurisë. Në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, si edhe kryetarëve të grupeve parlamentare, Meta argumenton arsyet e kërkesë së tij. Në letër theksohet se edhe pse prej 7 muajsh ishte në detyrën e zv/ministrit Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatën e Sigurisë, por DISK e ka pajisur atë me këtë certifikatë duke kryer një proces verifikim një ditor.

KËRKESA E PLOTË E PD DHE LSI

KUVENDI

Nr. _______ Prot.                                                                    Tiranë, më _____/_____/2019

K Ë R K E S Ë  DREJTUAR:      ZOTIT GRAMOZ RUÇI

                                                            KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

KËRKUES:                                           MË SHUMË SE 1/4 E TË GJITHË DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISËANËTARË TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE DHE LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM

OBJEKTI:                                            Krijimi i një Komisioni Hetimor të Kuvendit, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit prej tij dhe institucioneve shtetërore për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument 

BAZA LIGJORE:                                  Nenet 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës ka refuzuar propozimin e Kryeministrit me Nr. 6174 Prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga shqyrtimi i shkaqeve ligjore që ka parashtruar Presidenti i Republikës, konstatohen disa shkelje të rënda ligjore të kryera nga institucionet shtetërore, në pajisjen me certifikatë sigurie të z. Gent Cakaj, si dhe evidentohet fakti se z. Cakaj, në detyrën e tij si Zëvendësministër, ka shkelur rëndë detyrimet e parashikuara në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”.

Këto konstatime evidentojnë një situatë të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe ngrenë dyshime serioze mbi cenimin e detyrimeve që vendi ynë ka si vend anëtar i NATOS. Në këto kushte, është ne detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë kontroll parlamentar dhe eventualisht të individualizojë përgjegjësitë e institucioneve shtetërore në këtë çështje.

  1. FAKTET DHE RRETHANAT E CËSHTJES

Nga informacioni i bërë publik nga Presidenti i Republikës, rezulton sa më poshtë vijon: Informacioni i përcjellë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me shkresë Nr. 09/1 Prot, datë 8.01.2019, konfirmon se z. Gent Cakaj është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme me VKM nr. 342, datë 07.06.2018. Me shkresën e mësipërme, MEPJ konfirmon gjithashtu se me Urdhrat e Ministrit nr.187, nr.187/1, nr.187/2, datë 19.04.2018, janë përcaktuar pozicionet zyrtare të nëpunësve të MEPJ dhe misioneve Diplomatike e konsullore të RSH, të cilët do të njihen me informacionin e klasifikuar prodhuar nga institucionet shtetërore dhe/ose të përfituara në kuadër të bashkëpunimit dy- ose shumëpalësh me shtete dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, me informacion e klasifikuar të NATO-s dhe BE-së. Duke qenë se posti i zv.ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme përfshihet brenda listës së funksionarëve që detyrimisht duhet të njihen dhe të kenë akses në informacione të klasifikuara “sekret shtetëror”, Zyra e Nën-regjistrit të informacionit sekret shtetëror e krijuar pranë kësaj ministrie, më datë 29.06.2018 e ka njoftuar z. Gent Cakaj që të plotësojë formularin përkatës dhe të japë pëlqimin për t’u verifikuar për pajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë. Z. Gent Cakaj, ka refuzuar për një periudhë 7 mujore përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, që sipas parashikimeve të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar përbëjnë shkelje dhe janë të dënueshme. Vetëm më datë 03.01.2019, moment ky kjo që përkon me bërjen publike të propozimit të Kryeministrit për emërimin e tij në postin e Ministrit për Evropën për Punët e Jashtme, ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga dita e marrjes së detyrës si zv.ministër i MEPJ.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e ka pajisur z. Cakaj me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një) ditë pas paraqitjes së kërkesës më datë 04.01.2019.DSIK me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, i ka konfirmuar Presidentit të Republikës se CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024. Pra pajisja me certifikatë sigurie brenda ditës, nuk është bërë me një certifikatë të përkohshme 1 mujore, sic është praktika e punës së DSIK, por me certifikatë sigurie me afat vlefshmërie 5 vjecare. Për pasojë procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK vetëm brenda një dite, është haptazi një proces i kryer në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”. Nisur nga fakti që z. Cakaj ka jetuar në disa shtete dhe ka dy shtëtësi, DSIK është e detyruar që në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë të gjatë z. Cakaj. Nga të dhënat si më sipër, ekzistojnë fakte konkrete që tregojnë se DSIK ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr.836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nga ana tjetër, Zëvendësministri Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror. Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me çertifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.

Në zbatim të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr. 836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë menjëherë më marrjen e detyrës së Zëvendësministrit.

Sipas konstatimit që ka bërë Presidenti i Republikës në refuzimin e këtij propozimi, bazuar në informacionet zyrtare të administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi. Kjo neglizhencë dhe shkelja ligjore, ka rrezikuar seriozisht sigurinë kombëtare, sigurinë e organizatave partnere ndërkombëtare, si dhe interesat e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s. Duke vepruar në këtë mënyrë, institucionet shtetërore shqiptare, kanë shkelur detyrimet që burojnë nga antarësimi i Shqipërisë në NATO dhe potencialisht edhe në raport me marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Ky fakt cenon besueshmërinë e Shqipërisë në raport me partnerët tanë strategjikë.

  1. BAZUESHMËRIA LIGJORE E KËRKESËS

Gjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “… institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “… në mënyrë të pavarur…” dhe që është “…i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”.

Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve dhe mbrojtjen e interesit publike. Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim, në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar.

Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledh informacione të hollësishme mbi zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë si Zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk nuk sjell konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në thellësi të konstatimeve shumë shqetësuese të bëra nga Presidenti i Republikës, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta, apo marrjen e masave urgjente për mbrojtjen e parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës.  Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij hetimi parlamentar, kontrollohet edhe zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e mundësisë për përsëritjen në të ardhmen të kësaj situate që rrezikon sigurinë kombëtare.

E drejta e hetimit do të realizohet vetëm, brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm të kësaj cështjeje. Dobishmëria e këtij hetimi sigurisht që shihet në nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të garantimin e sigurisë kombëtare dhe zbatimit të detyrimeve si vend anëtar I NATO-s dhe vend kandidat për në BE.

Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e çështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen. Në këtë drejtim, çështjet më të shumta kanë patur për objekt administrimin e fondeve publike, marrëdhëniet ndërshtetërore, falimentimet e korporatave apo subjekteve të ndryshme private, të cilët kanë patur impakt në ekonominë e vendit, apo hetimin e fenomeneve kriminale[1]. Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësisë penale për personat e përfshirë në këtë fenomen negativ, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqëndrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së veprimeve administrative të organeve të pushtetit ekzekutiv, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta, si dhe parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomeni negativ dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen, në përputhje të plotë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Objekti i hetimit, është i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, si dhe përmban fakte të përcaktueshme, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet, duke evidentuar edhe çështjen që kërkohet të hetohet. Nga faktet e disponuara nga ana jonë dhe që një pjesë janë berë edhe publike në media, rezulton se ekziston një lidhje substanciale midis informacionit apo hetimit që kërkohet të realizohet, dhe një shkalle të arsyeshme të qëllimit legjitim të legjislativit, për mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës dhe garantimin e sigurisë kombëtare.

Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tre kriteret kushtetuese si më poshtë: 1) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat ai është i autorizuar të marrë masa ligjore;  2) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; si dhe 3) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për shkeljen e ligjit nga insitucionet shtetërore.

Për paosjë, në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës; garantimit të sigurisë kombëtare, parimeve të demokracisë funksionale dhe interesit publik; si dhe nisur nga rëndësia e jashtëzakonshme që ka kjo çështje edhe për proceset integruese të vendit; me synimin për ti vënë fre një herë e mirë praktikave abuzive që cenojnë sigurinë kombëtare; në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

KËRKOJMË: Ngritjen e një Komisioni Hetimor, me:

Qëllim – “Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si Zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme apo detyra të tjera shtetërore”.

 Objekti dhe çështjet që do të hetohen – (1) verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK; (2) roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”; (3) arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjell për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE; (4) autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.

 Përbërje – 9 anëtar, nga ku kryetari dhe 2 anëtarë do të jenë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 anëtar do të jetë përfaqësues i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe 5 anëtarë do të jenë përfaqësues të Grupeve Parlamentare të partive të mazhorancës parlamentare.

Afat të përfundimit të hetimeve – 3 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor.

Në këto rrethana, kërkojmë shqyrtimin dhe miratimin e projektvendimit për ngritjen e Komisionit Hetimor, që i bashkëlidhet kësaj kërkese. Gjithashtu, në mbështetje me nenin 7 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë nga ana juaj që sa më parë, por në çdo rast jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës, të mblidhni Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar mbi këtë kërkesë, përbërjen e komisionit, si dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.

DEPUTETËT: 

KUVENDI VENDIM Nr. ______/2018

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TË KONTROLLUAR LIGJSHMËRINË E VEPRIMEVE TË ORGANEVE TË PUSHTETIT EKZEKUTIV DHE TË INSTITUCIONEVE TË TJERA SHTETËRORE NË PAJISJEN E Z. GENT CAKAJ ME “CERTIFIKATË TË SIGURISË” DHE ZBATIMI I LIGJIT PËR ADMINISTRIMIN DHE PËRPUNIMIN E INFORMACIONEVE PA QENË I PAJISUR MË PARË ME KËTË DOKUMENT NË CILËSINË E TIJ SI ZËVENDËSMINISTËR PËR EUROPËN DHE PUNËT E JASHTME APO DETYRA TË TJERA SHTETËRORE

Në mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një të katërtës së deputetëve,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 

VENDOSI:

  1. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si Zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme apo detyra të tjera shtetërore.
  1. Ky hetim do të synojë mbrojtjen e sigurisë kombëtare, shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, me qëllim parandalimin e pasojave negativ për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale.

III. Objekti i punës së Komisionit Hetimor është:

  1. Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK;
  2. Roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”;
  3. Arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjell për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE;
  4. Autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion ë klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.
  1. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe duke respektuar dhe duke mos mbivendosur kompetencat e organeve të drejtësisë.
  1. Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
  1. Komisioni hetimor parlamentar do të përbëhet nga 9 anëtar, nga ku kryetari dhe 2 anëtarë do të jenë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 anëtar do të jetë përfaqësues i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe 5 anëtarë do të jenë përfaqësues të Grupeve Parlamentare të partive të mazhorancës parlamentare. Kryetari dhe anëtarët përcaktohet me vendim të vecantë të Kuvendit.

 VII. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 3 – mujor nga miratimi i këtij vendimi. 

VIII. Ngarkohen Kryetari i Kuvendit që menjëherë të caktojë mjediset dhe mjetet e punës së komisionit, si dhe personelin e nevojshëm, duke venë në dispozicion edhe ekspertë juristë. 

  1. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të marrë masa për zbatimin e vendimit të Kuvendit dhe të urdhrave të Kryetarit të Kuvendit, për mbarëvajtjen e punës së komisionit, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Miratuar më ____/____/2019.

KRYETARI GRAMOZ RUÇI

Vendimi nr. 18/2003 i Gjykatës Kushtetuese

Facebook Comments

MineralHygienics.com