December 26, 2024

BE-ja thotë se s’ka dialog/Taksa duhet të hiqet urgjentisht

Dialogu ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiq nuk parashihet të vazhdojë në një të ardhme të afërt. Një vendim se kur  mund të vazhdojnë bisedimet, duhet të merret nga Kosova dhe Serbia.

Kocijançiq është shprehur se dy shtetet duhet të angazhohen që dialogu në nivel të lartë, të vazhdojë në një afat sa më të shpejt kohor.

Sipas saj, vazhdimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërlidhet direkt me perspektivat evropiane të dy shteteve.

“Ritmi, agjenda dhe formati i dialogut përcaktohet nga të dyja palët. Deri më tani, nuk është planifikuar asnjë takim në të ardhmen e afërt. Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen sa më shpejtë në dialog, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete, në aspiratat e tyre drejt BE-së”, ka thënë Kocijançiq për Telegrafin.

Kjo e fundit edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian se taksa e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës është në kundërshtim me CEFTA-n dhe MSA-në.

Në përgjigjen e Kocijançiqit është bërë e ditur, se në takimin e Ekipit Negociator me Mogherinin para dy ditësh, është kërkuar që “me urgjencë të tërhiqet vendimi për taksën”

“Sa i përket tarifës pozicioni ynë është i qartë: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, është shkelje e qartë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini e ka përsëritur edhe në takimin e 8 janarit urgjencën që kjo taksë të tërhiqet”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Evropian.

Përkundër thirrjeve nga BE-ja, dhe takimit të fundit të delegacionit kosovar me Mogherinin, kryeministri Haradinaj nuk po shprehet i gatshëm ta tërheqë vendimin për taksën.

“Ne jemi të gatshëm sot ta heqim taksën, nëse Serbia na njeh”, kishte thënë Haradinaj gjatë ditës së martë, në një konferencë për media.

Pikërisht për këto zhvillime, në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme pritet të qëndrojë edhe Angelina Eichhorst, drejtoreshë e Shërbimit të Punëve të Jashtme në zyrën e Mogherinit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com