December 23, 2024

Angela Merkel: “Demokracia jeton nga ndryshimet”

Në fjalimin e saj të fundvitit, kancelarja Angela Merkel u drejtohet së pari njërëzve në vendin e saj. “Të dashur bashkëvendase dhe bashkëvendas”, ishte përshëndetja e saj në fillim. Por fjalët e saj janë dëgjuar me siguri me vëmendje edhe jashtë Gjermanisë. Kur Angela Merkel flet, nga perspektiva e saj, për një vit të vështirë politik, atëherë fjalën e ka për dy këndvështrime – nacional dhe ndërkombëtar.

Kancelarja gjermane e filloi fjalimin me krijimin e vështirë të një koalicioni të ri, pas zgjedhjeve të vitit 2017. Gjashtë muaj kanë zgjatur negociatat, “e kur e krijuam koalicionin, së shpejti filluan grindjet dhe kemi qenë të detyruar që shumë kohë të merremi me vetveten”. Kristjandemokratja nuk e përmendi asnjë shembull konkret, por dy gjëra kanë mbetur në mendje: Mosmarrëveshjet permanente me ministrin e Brendshëm Horst Seehofer dhe partinë simotër CSU, si dhe mosmarrëveshjet me socialdemokratët. Shkaku i grindjeve ka qenë në radhë të parë çështja e migrimit.

Çështjet më të rëndësishme – klima, migrimi, terrorizmi

Merkel megjithatë thotë se klima e tendosur brenda koalicionit qeverisës nuk është shkaku i paralajmërimit të saj të tërheqjes nga politika, ne fund të mandatit të tanishëm. Këtë vendim e ka marrë ajo “pavarësisht zhvillimeve gjatë vitit 2018”. Ndërkohë janë mbushur 13 vjet nga fillimi i qeverisjes së saj (2005) dhe “ky është shkak i mjaftueshëm” për të bërë këtë hap. “Demokracia jeton nga ndryshimet.”

Merkel është e bindur se mund të përballemi me sukses me të gjitha sfidat e tanishme, “nëse jemi unikë dhe bashkëpunojmë edhe me të tjerët jashtë vendit”. Këtu e ka fjalën për sfidat, si ndryshimi i klimës, por edhe zgjidhja e çështjes së migrimit si dhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar. “Zgjidhja e këtyre çështjeve është në interesin tonë.”

Roli i Gjermanisë në KS të OKB

Por Merkeli ka edhe dyshime në lidhje me gatishmërinë për përballje me këto sfida. Me siguri që ka probleme me bashkëpunimin, thotë Merkel. Por sërish nuk e thotë asnjë shembull konkret. Ajo mendon këtu për politikën nacionaliste këndej dhe andej Atlantikut. Konkludimi i saj: “Në një situatë të tillë, duhet të angazhohemi edhe më fuqishëm për realizimin e bindjeve tona, duhet të argumentojmë dhe luftojmë.”

Sa i përket anëtarësisë së Gjermanisë në KS të OKB në dy vitet e ardhshme, Merkel thotë “se Gjermania do të angazhohet atje për zgjidhjen e çështjeve globale”. “Ne do t’i shtojmë mjetet tona financiare për ndihma humanitare, zhvillim por edhe për mbrojtje.” Do të angazhohemi që Bashkimi Evropian “të jetë më i fuqishëm dhe më i aftë për marrjen e vendimeve”. Ndërsa me Britaninë e Madhe do të “kemi një partneritet të ngushtë”, pavarësisht daljes nga BE.

Merkel kërkon më shumë “transparencë, tolerancë dhe respekt”

Kancelarja Merkel apelon tek bashkëvendasit e saj që në maj, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, “t’i mbeten besnikë projektit të paqes, mirëqenies dhe sigurisë”. Në fund të fjalës së saj me rastin e Vitit të Ri 2019, Merkeli sërish u drejtohet qytetarëve të Gjermanisë, me fjalët se “‘Qeveria synon më shumë barazi” me qëllim që “të gjithë të kenë mundësi shkollimi, banimi dhe sigurim shëndetësor”.

“Ne po angazhohemi për zgjidhjet më të mira. Por gjithmonë duke ruajtur vlerat e përgjithshme si transparenca, toleranca dhe respekti”. Merkeli është e shqetësuar për ashpërsimin e klimës në shoqërinë gjermane gjatë vitit 2018. Por ajo është e bindur se: “Nëse jemi të bindur për vlerat dhe idetë tona, atëherë mund të krijohen vetëm gjëra të reja dhe të mira.”

The Dw

Facebook Comments

MineralHygienics.com