November 24, 2024

Meta kthen për rishqyrtim ligjin “Për Tatimin Mbi të Ardhurat”

Presidenti Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Sipas relacionit të Presidencës ligji bie ndesh me parimet kushtetuese dhe Kushtetutën.

Më konkretisht :

Neni 9 i ligjit të kthyer përcakton se:

“Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 përqind do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”

Ky nen prek parimin kushtetues të barazisë midis individëve. Ky ligj krijon pabarazi fiskale midis atyre që e kanë shpërndarë fitimin dhe janë tatuar me 15 për qind (sipas ligjit të vjetër) dhe atyre që nuk e kanë shpërndarë fitimin dhe që do të tatohen me 8 për qind (sipas këtij ligji).

Gjithashtu në relacionin e Presidencës përcaktohet se ky nen lë një vakuum ligjor përsa i përket çështjes se çdo të ndodhë me personat që nuk e paguajnë tatimin mbi fitimet e pashpërndara brenda 30 shtatorit 2019, ndërsa tatimin mbi të ardhurat brenda 20 gushtit 2019.

Tjetër problematikë kushtetuese që parashtron relacioni, është se ky nen bie ndesh me Kushtetutën.

Neni 155 i Kushtetutës parashikon se në rastin e lehtësirave fiskale apo përjashtimit të subjekteve nga tatimi, ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Ndërkohë neni 9 e shtrin efektin e tij edhe në vitet para vitit 2018.

Aspekti i fundit që Relacioni i Presidencës vë në pah është hyrja në fuqi e ligjit. Sipas Kushtetutës, ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve me botimin në Fletore Zyrtare. Vetëm në raste të jashtëzakonshme me pëlqim të Presidentit të Republikës dhe miratim të shumicës në Kuvend mund të hyjë në fuqi menjëherë. Sipas nenit 10, ky ligj hyn në fuqi më 1 Janar 2019.  Ndërkohë nuk rezulton që Kuvendi t’i ketë bërë kërkesë Presidentit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com