November 25, 2024

Mesazhi i Presidentit Meta, dërguar dje Papa Franceskut

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh të ngrohtë Papa Franceskut me rastin e 82 vjetorit të lindjes.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit Meta shkruan se “që prej ardhjes Suaj në krye të Selisë së Shenjtë, shqiptarët kanë parë tek Ju jo vetëm modestinë hyjnore që ju karakterizon por dhe udhërrëfyesin e tyre shpirtëror e mbështetësin e palodhur për kapërcimin e vështirësive të tyre, për një të ardhme më shpresëdhënëse”.

Ja mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Shenjtëria Juaj,

Me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes suaj At i Shenjtë, ju përcjell nga zemra urimet më të ngrohta e të përzemërta, si dhe ju uroj jetë sa më të gjatë, të shëndetshme e të mbushur me gëzim, në dobi të besimit katolik e mbarë njerëzimit. Që prej ardhjes Suaj në krye të Selisë së Shenjtë, shqiptarët kanë parë tek Ju jo vetëm modestinë hyjnore që ju karakterizon por dhe udhërrëfyesin e tyre shpirtëror e mbështetësin e palodhur për kapërcimin e vështirësive të tyre, për një të ardhme më shpresëdhënëse.

Vizita Juaj pastorale në Shqipëri, në vitin 2014, si dhe më pas vendimet hyjnore për shenjtërimin e Nënë Terezës, si dhe të lumturimit e lartësimit të besimtarëve të devotshëm e klerikëve shqiptarë që u flijuan për përulësinë ndaj Hyjit, i kanë bërë shqiptarët krenarë. Vlerat e harmonisë fetare dhe vokacioni evropian i shqiptarëve janë rigjallëruar e ripërtërirë si kurrë më parë, falë edhe vëmendjes e mbështetjes Suaj e të Selisë së Shenjtë.

Po kështu jemi shumë mirënjohës për audiencën e veçantë që i dhatë delegacionit prej 200 shqiptarësh të shquar, vetëm pak ditë më parë, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Heroit Kombëtar të shqiptarëve dhe të qytetërimit evropian. Për mua personalisht do të mbeten të paharruara emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë, pak javë më parë. Ju siguroj se do të vijoj t’i përcjell me të gjithë fuqinë time dhe të përgjegjësisë institucionale që mbaj, mesazhet Tuaja të vyera për popullin tim dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme, që Ju e kujtoni me aq dashuri nga vizita juaj në vendin tim.

Gëzuar Ditëlindjen e jetë të gjatë e të lumtur At i Shenjtë ! Me respekt e mirënjohje të thellë, Ilir Meta

Facebook Comments

MineralHygienics.com