December 28, 2024

Remitancat, Sejko: Shërbim bankar edhe në zonat rurale!

Së shpejti shërbimi bankar do të zgjerohet edhe në zonat rurale. Gjatë takimit të dytë të nivelit të lartë për remitancat guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se projektligji për shërbimet e pagesave do të uli kostot për dërgesat e emigrantëve.

“Projektligji vlerësohet të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe në krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, një përbërës ky mjaft i rëndësishëm për tregun tonë. Projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin përfshirë dhe zonat rurale.” -u shpreh Sejko

Për Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dërgesat e emigrantëve në vendin tonë mbeten më të larta se investimet e huaja.

“Në shqipëri si në të gjitha shtete e ballkanit perëndimorë shumat që hyjnë nga remitancat është shumë më e lartë se ajo e invetsimeve të huaja. Fenomen mjaft I zhvilluar këot vitet e fundit është megrim I I profesionisteve në vëndet e BE e theksuar kjo ne fushate emjkesisë apo teknol,ogjisë së informacionit.”- theksoi Majko

Por sipas ministrit Majko në krahasim me vitin 2007 paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë në shqipëri kanë rënë me rreth 27% tendenca në rënie sipas tiju shfaq sidomos gjatë vitit 2008.

Fjala e plote e guvernatorit Sejko:
Është një kënaqësi e veçantë të hap takimin e sotëm, i cili vjen pas një viti intensiv bashkërendimi përpjekjesh midis institucioneve tona, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta mbi remitancat, por dhe më gjerë, me Diasporën. Sot, një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit, kam kënaqësinë të përmend se materializimi i këtyre përpjekjeve është reflektuar në ndërmarrjen e një sërë angazhimesh dhe projektesh në zbatim të objektivave të synuar, të cilat do të prezantohen në vijim.

Rëndësia e remitancave në ekonominë shqiptare, në mirëqenien e familjeve dhe përgjithësisht në zhvillim, është theksuar në shumë komunikime të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka angazhuar burimet e saj në zhvillime, të cilat synojnë krijimin e parakushteve të nevojshme për kanalizimin sa më efikas të këtyre të ardhurave në ekonominë shqiptare.

Duke iu referuar nismave ndërkombëtare në fushën e remitancave, evidentohet rëndësia e reduktimit të kostove dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve për dërgesat, duke nënkuptuar nevojën për ndërhyrje në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si në vendet dërguese të remitancave, ashtu dhe në ato pritëse.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë, sikurse kemi theksuar edhe në fillesat e këtij bashkëpunimi, është angazhuar në një sërë projektesh, të cilat synonin analizimin e tregut vendas me qëllim identifikimin dhe adresimin e nevojave për ndërhyrje. Projektet në fjalë janë asistuar nga Banka Botërore dhe financuar nga SECO, dhe këtu përfitoj nga rasti t’i falënderoj edhe një herë këto institucione për kontributin dhe mbështetjen e tyre.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave kanë miratuar dhe vënë në zbatim tashmë strategjinë kombëtare për tregun e pagesave me vlerë të vogël. Strategjia në fjalë synon krijimin e një tregu bashkëkohor e gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave, që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin. Duke shtuar në objektivat e Bankës së Shqipërisë edhe përfshirjen financiare, kjo strategji ka përcaktuar objektiva sasiorë mjaft ambiciozë duke synuar kështu dyfishimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare (nga 38% në vitin 2014, në 70% në vitin 2022) dhe rritjen e numrit të pagesave elektronike për frymë (nga 4.3 në vitin 2016, në 10 në vitin 2022).

Por, për arritjen e këtyre objektivave vjen natyrshëm edhe nevoja për një plan veprimi konkret e të detajuar, i cili kërkon mbështetjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në tregun e pagesave, si dhe ndërhyrje në shumë aspekte, ku mund të përmend:

përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ në zbatim;
zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturave për shërbimet financiare;
zgjerimin e numrit dhe përdorimit të llogarive dhe shërbimeve të pagesave;
zgjerimin e pikave të aksesit të këtyre shërbimeve;
rritjen e edukimit, ndërgjegjësimit dhe përfshirjes financiare;
rritjen e volumeve të transaksioneve të procesuara nga sistemet e pagesave.
Pavarësisht faktit që strategjia është miratuar rishtazi në muajin qershor, hapa konkretë janë arritur në këtë drejtim ku mund të përmend hartimin e projektligjit “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”, i cili transpozon direktivën e rishikuar të Bashkimit Evropian “Për shërbimet e pagesave” (PSD2). Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji vlerësohet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre. Për më shumë, projektligji vlerësohet të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe në krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, një përbërës ky mjaft i rëndësishëm për tregun tonë. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale).

Përtej përmirësimeve ligjore, hapa të rëndësishëm janë shënuar edhe në kuadër të edukimit financiar. Këtu dëshiroj të theksoj nismën e ndërmarrë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të financuar nga SECO, për zbatimin e projektit Greenback 2 në qytetin e Beratit. Projekti konsiston në rritjen e përfshirjes dhe edukimit financiar të emigrantëve dhe familjeve të tyre, si dhe përdorimin e kanaleve sa më efikase në terma të kostove për dërgimin e fondeve.

Gjithashtu, me qëllim zgjerimin e njohurive të tregut në lidhje me remitancat, në muajin qershor, Banka e Shqipërisë ka publikuar botimin me titull “Remitancat: Një mbështetje për zhvillim”. Ky publikim, i gjithi i dedikuar remitancave, ofron një përqasje gjithëpërfshirëse të aspekteve të ndryshme të dërgesave në tregun vendas, ku mund të përmendim analizimin në nivel makro të remitancave dhe ndikimin e tyre në zhvillim, impaktin e këtyre dërgesave tek familjet, analizimin e infrastrukturës së tregut të remitancave në Shqipëri dhe nevojat për ndërhyrje, si dhe ofrimin e statistikave në lidhje me remitancat.

Një hap i rëndësishëm në kuadër të edukimit financiar është ndërmarrë edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, e cila në muajin qershor ka nënshkruar me 8 organizata partnere, një memorandum bashkëpunimi për krijimin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar dhe rritjen e bashkëpunimit e koordinimit ndërinstitucional në fushën e edukimit financiar.

Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve që përmenda më parë, mbetet ende shumë për t’u bërë, dhe në këtë kuadër ftoj të gjithë të vijojmë përpjekjet me të njëjtin intensitet të treguar deri më tani për të modernizuar tregun vendas të pagesave.

Në periudhën afatmesme, Banka e Shqipërisë do të fokusojë përpjekjet në një sërë nismash, ku si më të rëndësishmet do të theksoja zhvillimet e mëtejshme ligjore dhe përmirësimet infrastrukturore.

Një hap i rëndësishëm në periudhën afatmesme konsiderohet hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave”. Projektligji në fjalë do të transpozojë Direktivën e Bashkimit Evropian “Për llogarinë e pagesave” dhe do të nxisë transparencën, duke krijuar një regjistër publik për të gjitha komisionet e aplikuara nga institucionet dhe në një mënyrë lehtësisht të krahasueshme.

Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë do të angazhohet në një sërë zhvillimesh infrastrukturore, të cilat mbështesin përfshirjen financiare, reduktojnë kostot e përdorimit të këtyre instrumenteve dhe vlerësohet të kenë ndikim edhe në tregun e remitancave, kryesisht nga pikëpamja e marrësve të dërgesave dhe përdorimit të tyre. Këtu mund të përmendim krijimin e një platforme kombëtare për procesimin e pagesave në kohë reale (instant payment dhe për procesimin e pagesave me kartë). Këto platforma krijojnë kushtet për zhvillimin e shërbimeve inovative dhe me kosto të ulëta, si dhe synojnë segmente të tregut, të cilat krijojnë volume të bollshme, duke targetuar pagesat e institucioneve shtetërore dhe pagesat që qytetari shqiptar i kryen në përditshmërinë e tij.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të falënderoj qeverinë shqiptare për rëndësinë e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht ministritë e saj, si Ministria e Diasporës dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me të cilat Banka e Shqipërisë ka pasur një bashkëpunim të frytshëm deri tani, duke shprehur besimin se do të vijojmë me të njëjtat ritme përpjekjet e përbashkëta për përfshirjen sa më të shpejtë e të gjerë në ekonominë e vendit, të këtij faktori mjaft të rëndësishëm.

Facebook Comments

MineralHygienics.com