December 24, 2024

Kryemadhi: Hidhni kartat e partisë, protestoni për fëmijët tuaj

Kryetarja e lëvizjes Socialiste për Integrim, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen dhe të luftojnë kundër keqqeverisjes.

Ajo u ka kërkuar shqiptarëve që sot të hedhin kartat e anëtarësisë dhe të partisë dhe të marrin në duar flamurin kombëtar, dhe të luftojnë për fëmijët e tyre.

Hidhni poshtë kartën e anëtarësisë, hidhni poshtë kartën e partisë, dilni në mbështetje të fëmijëve tuaj, dilni dhe mbroni fëmijët tuaj. Mos kini frikë nga kompleksi i Edi Ramës, luftoni për fëmijët tuaj. Më keq seç i ka bërë ky njeri këtij vendi nuk i kanë bërë as pushtuesi. Ju bëj thirrje studentëve mos ndaloni, protestoni. Nga sot unë ju drejtohem jo vetëm ju por të gjithë strukturave të LSI-së, ju bëj thirrje dhe socialistëve dhe demokratëve, harroni kartat e anëtarësisë merrni në dorë flamurin e partisë. O sot o kurrë. Ju drejtohem shqiptarëve që sot të marrin në dorë frenat e vendit’, deklaroi Kryemadhi.

Fjala e plotë e Kryemadhit:

Ju falënderoj për përgjigjen e menjëhershme dhe gatishmërinë që patët. Kjo do të thotë që situata nuk është ajo që prej kohësh është reklamuar dhe është treguar me ngjyrat e mendjes së Edi Ramës dhe kryeministrit të Rilindjes. Sot ne pamë një veprim arrogant, pamë një sjellje armiqësore ndaj të gjithë studentëve, ndaj të gjithë atyre djemve dhe vajzave, të cilët kanë sot 9 ditë që protestojnë në rrugë, dhe protestojnë për më minimalen dhe më baziken. Prej disa ditësh kam qenë e tunduar për të folur për të suportuar, apo për të qenë edhe pjesë e atyre të rinjve dhe të rejave, sepse më kujtonin veten time të 30 viteve më parë, por kam menduar si një nënë që fëmijët duhet të fitojnë pavarësinë, duhet të jenë të zotët e vetes, duhet të jenë fort dhe të lidhur me njëri-tjetrin për të mbajtur atë çka është e tyre, dhe jo t’ja u rrëmbejnë nga dora. Dhe kam parë që gjithë ata djem dhe vajza, për herë të parë pas 28 viteve shikojmë dhe dëgjojmë një lëvizje të tillë. Kur i shikoja dy netë rresht, që rrinin në minus dy gradë në Bulevard, e harrova të qenurit politikane, e harrova të qenurin kryetare partie, dhe mendova se sa bujar Zoti kishte qenë me mua dhe me familjen time, mendova se sa bujar Zoti kishte qenë me Edi Ramën dhe familjen e tij, mendova se sa bujar kishte qenë Zoti me të gjithë ministrat dhe me të gjithë deputetët në Parlament dhe me shumë e shumë të tjerë. Mendova që kishte qenë bujar edhe më oligarkët, të cilët marrin paratë e shqiptarëve dhe i fusin në xhepin e Edi Ramës. Dhe e ndjeva veten time në mëkat që nuk bëj asgjë, që fëmijët e mi i hanin tre herë në ditë vaktet apo flenin në shtrat të ngrohtë dhe ata 140.000 studentë nuk kanë asnjë vakt të mundur për të ngrënë, por mbushin stomakun me një shishe uji, të cilën e mbushin në rubinetat e konvikteve dhe duhet të paguajnë edhe ryshfet për të futur dhe një furnelë për të ngrohur, për të gatuar apo për të larë rrobat e tyre por e mbushin stomakun edhe me një shishe ujë, të cilën e mbushin në rubinetet e konvikteve dhe duhet të paguajnë edhe ryshfet për të futur një furnellë, për tu ngrohur për të gatuar apo për të larë rrobat e tyre, dhe aq më shumë për tu përballur më pas në auditorë të ftohta, me detyra dhe projekte që duhet ti kenë. U ndjeva mëkatare sepse nuk kam bërë asgjë për ta dhe mendoj që gjëja më e mirë që mund të bëj sot është që të hap gojën dhe të flas sepse mendova që kishte një shans, një mundësi që të reagonte, që deri dje e kemi quajtur të çmendur në fakt, por nuk është i çmendur është i kapur në fakt, është i kapur nga krimi, është i kapur nga oligarkia, është i kapur nga droga dhe më pas është i kapur edhe nga çmenduria e tij, mendova që pas atij skenari të tmerrshëm dhe të turpshëm që  dha sot në parlament, kërkon negociata me fëmijë të pangrënë, kur kërkon negociata me fëmijë që duhet  të punojnë punë të dytë për të blerë librat, që duhet ti paguajë Edi Rama librat e tyre, kërkon negociata me fëmijë të pa veshur, ku duhet ti dali për zot qeveria e Edi Ramës, kërkon negociata me fëmijë që e dinë shumë mirë që për ta ai ka një mendim tjetër, që ata kanë një çmim, nuk ka negociata me Edi Ramën thonë ato, nuk ka dialog me të.

Kërkojmë 8 kërkesa minimale, kërkojmë më elementaren, kërkojmë më baziken, por ata nuk e kuptojnë dot që nga Edi Rama i pari, unë e dyta, deputetët e kuvendit, Gramoz Ruçi, etj. Nuk kuptojnë dot sepse me aq para sa ne harxhojmë nëpër kafene, ato shtyjnë muajin dhe jo për ta mbushur barkun e tyre me bukë, por për të blerë libra, për të fotokopjuar leksionet dhe për të dorëzuar detyrat dhe projektet e tyre.

Prandaj sot, si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim ju kërkoj të gjithë ju që jeni drejtues të shtabeve tona elektorale dhe që nga sot në të gjithë Shqipërinë do të dal dhe do të lëviz, hidhni poshtë kartën e antarësisë, hidhni poshtë kartën e partisë, dilni në mbrojtje të fëmijëve tuaj, që janë duke vdekur nga i ftohti në rrugë dhe po kërkojnë më minimalen. Harroni flamurin e partisë, merrni flamurin kombëtar në dorë, dilni dhe mbroni fëmijët tuaj, mos kini frikë nga kompleksi i Edi Ramës, mos kini nga dhuna psikologjike dhe nga mediat e blera prej Edi Ramës.

Luftoni për fëmijët tuaj, luftoni për fëmijët e shqiptarëve, luftoni për rininë tonë, për një rini që po ikën çdo ditë e më shumë. E thashë edhe në mëngjes dhe po e them përsëri, më keq seç i ka bërë ky njeri vendit, nuk i kanë bërë as pushtuesit, prandaj që nga ky moment ju bëj thirrje të gjithëve

Mos ndaloni, suport të rinjve kudo që janë. Sa në kryeministri, sa në parlament, sa në ministri, ku të kenë dëshirën ata. Mos ndaloni. Thërrisni komshinjtë, thërrisni farefisin, thërrisni miqtë, zgjeroni radhët sepse nga sot, unë ju drejtohem jo vetëm ju, si drejtues të strukturave të LSI të Tiranës, por do t’u drejtohem të gjithë strukturave të LSI. I bëj thirrje të gjithë demokratëve socialistëve, të hartrojnë kartën e antarësisë, të harrojnë flamurin e partisë dhe të ngremë flamurin kombëtar. Ose sot ose kurrë, fatet e shqiptarëve janë në dorën e shqiptarëve, nuk janë në dorën e një njeriu që kërkon negociata me atë që nuk ka çfarë humbet. Ata studentë nuk kanë çfarë humbasin më. Ata student ose do të fitojnë betejën përballë një monstre grabitqare, gjakpirëse, përballë një monstër që tallet me fukarallëkun e njerëzve, ose ky vend nuk ka më të ardhme. Ju drejtohem të gjithë fermerëve të cilët Edi Rama i groposi duke i futur në skemën e detyrimeve të detyrueshme edhe pse nuk kanë shitur asnjë kg domate. Të ngrenë kokën dhe ti vijnë Edi Ramës përballë kryeministrisë, aty ku ai firmos çmimin e naftës që ua shet shqiptarëve 2 mijë lekë litrin. Aty ku mbush xhepin  e shqiptarëve dhe të fermerëve të cilët duan të konkurrojnë në tregun e Europës, ku nafta është më e shtrenjtë, ku nuk ka kanale kulluese, ku nuk ka infrastrukturë, ku nuk ka asnjë subvencion nga qeveria, por përkundrazi ka grabitje nga qeveria. I bëj thirrje këtyre fermerëve, të vijnë dhe të protestojmë, sepse nuk mund ta përfaqësojë subvencionin e fermerëve drejtoresha e oligarkut. E atij që ia merr paratë shqiptarëve dhe ia fut në xhepin e Edi Ramës. Prandaj kot mos të shpresojnë. E kam thënë më përpara, e them përsëri. Nuk ka subvencione për fermerët e varfër, ka subvencion vetëm për oligarkët e Edi Ramës. I bëj thirrje naftëtarëve, të cilët ai talli në metodën e tij më të mrekullueshme dixhitale, duke ndejtur 20 metra larg tyre nga zyra në zyrë dhe vetëm për tu parë nëpërmjet ekranit. Sepse ka ndotje nga naftëtarët ai, nuk ua jep dot dorën naftëtarëve se ka neveri, ti japë dorën një punëtori, se dora e tij e ngjyrosur nga bojërat kimike të pikturave dhe poçeve që bën, nuk mund t’i japë dorën një naftëtari që ka vite dhe ka sakrifikuar jetën e tij për të krijuar një familje me të ardhura të mira dhe për tu sakrifikuar që ta sjellë fëmijën e tij të studiojë si një student normal. Ju bëj thirrje këtyre naftëtarëve, që ai u tall me statusin e tyre, që nuk ua dha shansin ta gëzojnë atë status, të dalin dhe të luftojnë, të bashkohen me fëmijët e tyre student, sepse negociatat që bëri me ta, i bleu, i përdori, i shpërndau, i përcau dhe ja ku janë sot. I bëj thirrje naftëtarëve dhe minatorëve bashkë me naftëtarët. Sepse naftëtarët duhet të bëhen bashkë me minatorët. Sepse kanë po të njëjtin hall. Njëri ç’pon tokën tjetri futet me qindra metra në tokë. Këta që kanë dhe administrojnë pasurinë më të madhe të Shqipërisë, të cilët mbushin xhepat  e oligarkëve të Edi Ramës, këta janë dhe njerëzit më të varfër dhe atë pak para që ata marrin Edi Rama ua merr, duke ia marr fëmijëve të tyre që janë student. Prandaj o sot o kurrë, të gjithë këta minatorë që janë  nga Bulqiza, Përrenjasi, Selenica, të vijnë dhe tu bashkohen fëmijëve të tyre, të cilët po na japin forcë dhe shpresë. Dhe po na japin besim për ta larguar këtë mortje të keqe që rritet me kafshatën e fundit të fëmijëve të shqiptarëve, që rritet me kafshatën e fukarait. Kam dhe një mesazh për drejtoreshat e gjimnazit të cilat i quajnë nxënësit mashtruesa. Nuk ka mashtruese më të madhe se një mësuese që kërcënon nxënësit. Nuk ka mashtruese dhe kriminele më të madhe sesa një mësuese që përdor librin për presion. Dhe po ju them lërini fëmijët të lirë. Lërini fëmijët të lirë, sepse liria është më e shtrenjtë se paga e drejtoreshës. Sepse liria është më e shtrenjtë se mëkati i shitjes së një nxënësi për t’u regjistruar në shkollat e mesme të qendrës së Tiranës. Të gjitha janë të dokumentuara sepse gjithë kjo urrejtje dhe gjithë kjo revoltë nuk mund të ndodhte ndryshe nëse njerëzit nuk do të shikonin që çdo ditë e më shumë iu shtrëngohet laku.

Prandaj sot deklaroj këtu me ju dhe deklaroheni dhe shpërndajeni kudo: protesta e studentëve është protestë e studentëve që i dha një mësim të mirë politikës shqiptare, por mbi të gjitha na dha mësim ne, për të kuptuar se e keqja e madhe nuk është midis nesh, duke bërë sikur bëjmë konflikt dhe politikë. Por e keqja më e madhe është koka e qeverisë, Edi Rama që është peng i krimit, peng i drogës, peng i armiqve të shqiptarëve. Prandaj nga sot mos ndaloni çdo minutë, çdo sekondë dhe çdo ditë, të gjithë atje me studentët. T’i thërrasim të gjitha gratë dhe vajzat tona, të gjithë suportin tanë të bashkohen me studentët për ta larguar, deri sa dhe socialistët vetë të kuptojnë që e keqja e Partisë Socialiste ishte Edi Rama, nuk ishte Partia Socialiste. E keqja e Partisë Socialiste ishte përçarja që i bëri Edi Rama.

E keqja e Partisë Socialiste ishte fyerja dhe largimi i figurave të Partisë Socialiste. Iu bëj thirrje të gjithë atyre figurave, të cilët nuk e shikojnë veten të kapur dhe të blerë nga Edi Rama, me fëmijë në punë, me tendera apo me leje pallatesh, t’i kthehen Partisë Socialiste dhe ta marrin në dorë fatin e saj. Të marrin Partinë Socialiste, atë parti që në ’97 shqiptarët i dhanë shumicën, tua kthejnë edhe njëherë socialistëve të vërtetë, sepse Partia Socialiste është e socialistëve, nuk është e Edi Ramës, nuk është e krimit dhe nuk është e kriminelëve.

Po kështu iu bëj thirrje edhe të gjithë demokratëve, të bashkohen, të bashkohen për një qëllim, ta forcojnë Partinë Demokratike, ta rrisin atë. Sepse ashtu siç ishte Partia Demokratike në ’90, që solli shpresë për shqiptarët, t’i japi forcë dhe shpresë përsëri, jo vetëm atij brezi që e solli pluralizmin në Shqipëri, por t’i japi shpresë dhe çdo socialisti të ndershëm. Sepse duke pasur një opozitë të fortë, ka dhe një qeverisje të fortë. Duke pasur një opozitë të fortë, ka dhe një shtet dhe institucion të fortë.

Prandaj nuk më ngelet gjë tjetër vetëm se t’i lutem Zotit, që të gjithë bashkë pa dallim ideologjie, t’i japë forcë atyre studentëve, t’iu japi kurajo dhe guxim. Ti lutemi Zotit për t’i dhënë forcë dhe besim prindërve të tyre, që të gjejnë mundësinë që t’iu bashkohen. I lutem Zotit që t’iu japi forcë dhe besim ju, që ti suportoni dhe ti mbështesni ata studentë. I lutem Zotit ti bekojë shqiptarët, ti bëjë më të fortë dhe ti ruajë ata kudo që janë. Faleminderit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com