April 26, 2024

LSI – Ramës: Mashtrimet mbaruan, dyfishoja buxhetin universiteteve

LSI-ja i ka propozuar kryeministrit Edi Rama, votimin në Kuvend të dy amendamenteve që i japin zgjidhje problemit të studentëve. Konkretisht, i shpjegoi ato mëngjesin e sotshëm, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një dalje për mediat:

“Koha e premtimeve mashtruese ka mbaruar tashmë, – tha Kryemadhi. – Tetë pikat e kërkuara nga studentët, duan zgjidhje konkrete dhe të vërtetë. Çdo deklaratë dhe premtim i qeverisë, do të thotë dhe 30 vjet të tjera të humbura në jetën e rinisë shqiptare.

Konkretisht çfarë propozojmë:

Amendament në ligjin e buxhetit për vitin 2019. Të bëhen këto shtesa dhe ndryshime. Në tabelën 1 që i bashkëlidhet nenit 10 të ndryshohet totali i shpenzimeve buxhetore, për zërat e arsimit universitar dhe fonde për shkencën si më poshtë.

Totali i shpenzimeve buxhetore për arsimin universitar, të bëhet nga 7 miliardë e 500 milionë lekë në 14 miliardë e 909 milionë e 916 mijë lekë shqiptare. Pra do të thotë vetëm 1% e  PBB. Ku mund të jenë këto para, shumë e thjeshtë.

Sot buxheti që ka miratuar qeveria shqiptare, për vitin 2019, 46% e PBB, e kalon për të paguar koncensionarët e saj. Studentët kërkojnë, vetëm 1%. Le t’ia lërë Edi Rama 45% të PBB, koncesioneve të tij dhe vetëm 1% të tyre, t’ua japë studentëve. Totali i shpenzimeve buxhetore për fondet e shkencës, të bëhet nga 620 milionë lekë të reja në 1 miliardë e 240 milionë lekë të reja. Dhe këto i gjen shumë kollaj.

Si dhe neni 2 që në nenin 15 të shtohet neni 16 me përmbajtje: Të krijohet fondi i emergjencës në arsim me vlerë 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave dhe ekonomisë të  cilat do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës, të shoqërive, të trajtimit të studentëve në Tiranë dhe në rrethe dhe infrastrukturës universitare në përgjithësi.

Ku do t’i gjejë paratë?

Me anullimin e tenderit të Unazës së Re dhe me kthimin mbrapsht të parave të një tenderi të dhënë një kompanie fiktive off-shore të Edi Ramës në SHBA. 30 miliardë eurot janë 5 miliardë lekë, të cilat këto para që ai ua vodhi shqiptarëve në një muaj, ti hedhë automatikisht menjëherë në rikonstruksionin e godinave dhe konvikteve të studentëve.

Amendamenti për të zgjidhur pika të tjera. Propozohet amendamenti për ligjin e arsimit të lartë dhe konkretisht, i cili siguron rritjen në masë 50% të përfaqësimit dhe peshës së votës së studentëve dhe pjesëmarrjen e tyre në bordet e administrimit, e cila zgjidhet në mënyrë shteruese në këtë amendament për ligjin e arsimit të lartë, pika 2 dhe pika 3.

Pra, konkretisht sot ne i propozojmë Kuvendit të Shqipërisë dy amendamente.”

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com