December 23, 2024

De Biasi gati për “shqiponjat” e Serisë A

Sipas asaj që raportohet në faqet e edicionit romak të “Leggo”, Gianni De Biasi është një nga emrat që shikohen me përparësi të madhe nga drejtuesit e Lazios, nëse ata vendosin të largojnë trajnerin e tyre aktual.

Në fakt, drejtimi teknik i Simone Inzaghit është vënë në pikëpyetje seriozisht te bardhekaltrit, pasi kriza e ekipit është evidente, në shumë drejtime, përfshirë edhe “zhdukjen” e disa prej protagonistëve të sezonit të kaluar (Milinkovic-Savic dhe Luis Alberto, mes të gjithëve).

Ish-trajneri i kombëtares së Shqipërisë, që i priu suksesit historik të kuqezinjve, shkuarjes për herë të parë të tyre në finalet e një Kampionati Europian (“Francë 2016”) është mjaft i pëlqyer nga drejtori sportiv, Igli Tare. Shqiptari ynë i suksesshëm edhe në rolin e drejtuesit në Seria A, duke njohur atë që trajneri nga Sarmede bëri me kombëtaren kuqezi, ia ka sugjeruar edhe presidentit Lottito.

Interesant është fakti se Gianni De Biasi përflitet në mediat italiane edhe si zëvendësuesi i mundshëm i trajnerit aktual të Bologna, i Inzaghit tjetër. Pra, 62-vjeçari ua ka “prishur gjumin” dy vëllezërve. Ai do ta pranonte me kënaqësi një detyrë të re në Seria A, për më tepër në drejtimin e një klubi të përmasave ndërkombëtare.

Hera e fundit kur De Biasi drejtoi në Seria A ishte në sezonin 2009-2010, kur trajnoi Udinese, edhe pse për vetëm dy muaj (mes dhjetorit dhe shkurtit).

Facebook Comments

MineralHygienics.com