Menopauza është pjesë natyrale e plakjes, e cila zakonisht ndodh kur gruaja është mes moshës 45 dhe 55 vjet, ndërkaq zakonisht shfaqet kur nivelet e estrogjenit në trup fillojnë të zvogëlohen.
Gjatë kësaj kohe, menstruacionet rrallohen ose ndalen papritmas, ndërsa menjëherë pas menopauzës femrat nuk mund të mbesin shtatzënë.
Rreth një në 100 femra e përjetojnë menopauzën para moshës 40 vjet, e kjo ndryshe njihet edhe si menopauza e parakohshme.
Cilat janë shenjat dhe simptomat e menopauzës?
Simptomat e menopauzës mund të dallojnë nga individi në individ.
Simptomat menopauzale mund të shfaqen muaj apo vite para se të ndalen menstruacionet, ndërkaq mund të zgjasin deri në katër vjet pasi t’i keni përfunduar menstruacionet.
Simptomat përfshijnë:
– Skuqje të lëkurës – Menstruacione të çrregullta – Vështirësi për të fjetur – Ankthi dhe humbje vetëbesimi – Disponim i ulët dhe depresion – Djersitje gjatë natës – Tharësi vagjinale ose mungesë komforti gjatë seksit – Epsh më të vogël seksual – Probleme me përqendrim apo kujtesë – Shtim të peshës
Çfarë e shkakton menopauzën?
Menopauza shfaqet kur hormonet gjinore të trupit fillojnë të ndryshojnë, e kjo ndodh në mënyrë natyrale me moshën.
Vezoret tuaja e reduktojnë sasinë e estrogjenit që prodhohet dhe ndalojnë së liruari vezë çdo muaj.
Nuk ka ndonjë shkaktar të saktë se përse ndodh menopauza e hershme para moshës 45 vjet.