Shqiptarëve në Shqipëri u duhen mesatarisht 10.3 për qind e të ardhurave ditore për të blerë një litër benzinë, duke e renditur në këtë mënyrë në shtetin evropian që ka karburantin më të shtrenjtë në Evropë, në raport me të ardhurat për frymë (pa përfshirë vendet e Ish Bashkimit Sovjetik).
Ndërsa në botë, Shqipëria renditet në vendin e 15, me vendet të tilla si Afganistani, Zambia, Haiti, Etiopia, Kamboxhia, Bangladeshi. Të dhënat janë përllogaritur nga agjencia e lajmeve Monitor, bazuar në të ardhurat për frymë të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Global Petrol Price për benzinën. Një litër benzinë në Shqipëri kushton 1.48 euro, ndërsa të ardhurat ditore për frymë janë 14 euro (ndër më të ulëtat në Evropë, bashkë me Kosovën). Pas Shqipërisë, në Evropë, nafta është më e shtrenjtë në vendet e rajonit, ku në Bosnjë duhen 7.6 për qind të të ardhurave ditore, në Maqedoni 7.2 për qind dhe në Bosnjë 7.1 për qind.
Teksa në vlerë absolute, benzina në Shqipëri është pak më e lirë se në vende të tjera të Evropës, si Francë, Portugali, Finlandë, Greqi, Holandë, Itali, në raport me të ardhurat për frymë ajo është shumë më e shtrenjtë. Në Francë, e cila prej disa ditësh është mbërthyer nga protesta masive për shtrenjtimin e çmimeve të naftës, qytetarëve të saj u duhen vetëm 1.3 për qind e të ardhurave ditore, pra 10 herë më pak se shqiptarëve. Italianëve u duhen 1.8 për qind e të ardhurave ditore, holandezëve 1.1 për qind, grekëve 2.9 për qind. Në botë, nafta më e shtrenjtë është në Afganistan dhe Zambia, ku banorëve u duhen përkatësisht 42 dhe 38 për qind e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndërsa më e lirë në botë është në Venezuelë, me vetëm 0.1 për qind.