April 27, 2024

Norvegjia mbështet Shqipërinë me 1.4 milionë euro për sektorin detar

Shqipëria është e vendosur t’i japë një shtysë zhvillimit të sektorit detar për t’u futur në rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme. Projekti i quajtur “Zhvillimi i sektorit detar” i cili u prezantua sot në Tiranë, financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar. Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Objektivat kryesore të projektit janë fuqizimi i kuadrit rregullator detar në përputhje me praktikën ndërkombëtare detare dhe kriteret legjislative të BE-së; fuqizimi i kapacitetit institucional për të harmonizuar standardet dhe rregulloret përmes programeve të trajnimit dhe të shkëmbimit, si dhe rritja e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar krijimin e grupimeve detare dhe koordinimin ndërmjet tyre.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se “Praktikisht ky fond, kjo mbështetje financiare nga qeveria norvegjeze do të mundësojë fillimin e reformimit të këtij sektori, krijimin edhe të dijeve të nevojshme nëpërmjet bashkëpunimit me universitetin e Vlorës. Këtu dua të falenderoj sepse është qasja e duhur për të filluar që nga njerëzit e parë teknikë të cilët duhet të përgatiten dhe duhet të merren më këtë sektor. Sepse në shumë sektorë ne kemi humbur shumë kualitete kështu që realisht industria detare kërkon njerëzit e tyre. Por nga ana tjetër asistenca që duhet ti jepet autoriteteve shqiptare për të reformuar dhe për të krijuar një strategji të qartë në lidhje me industrinë detare, pra jo vetëm infrastrukturë portuale, sepse u tha drejtë këtu. Kryesisht Shqipëria ka qenë e fokusuar tek investimet në infrastrukturën portuale dhe këtu ka progres, janë bërë investime. Së fundi jemi dëshmitarë të investimeve që po bëhen në portin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit, që ka qenë një problem prej shumë vitesh dhe që ka ulur kapacitetet e përpunimit të portit të Durrësit. Nga ana tjetër kemi fituar një grant nga Bashkimit Europian, nëpërmjet WBIF dhe shumë shpejt do të kemi edhe financimin për investime kapitale, zgjerimin e infrastrukturës së portit të Durrësit.”

Ambasadori i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë Per Strand Sjaastad u shpreh:“Industritë detare mund të jenë një sektor i ri zhvillimi në Shqipëri. Unë mbështes autoritetet shqiptare që e kanë shndërruar këtë në një prioritet për vendin. Norvegjia është një prej shteteve udhëheqëse detare në botë. Ne jemi të gatshëm ta asistojmë Shqipërinë në zhvillimin e sektorit të saj detar. Gjatë fazës së parë do të përqendrohemi tek aftësitë dhe ngritja e kapaciteteve të autoriteteve publike detare, arsimi dhe programet e studimit, si dhe te grumbullimi i të dhënave detare, si bazë e zhvillimit ekonomik”.

Drejtori për vendin e PNUD-it, Limya Eltayeb, theksoi:“E përbashkëta jonë është pikërisht bindja që kemi që detet dhe brigjet tona janë çelësi i të ardhmes. Basenet e Adriatikut dhe Jonit përballen me kompromise lidhur me mungesën e hapësirave, rreziqet në sigurinë detare, mungesën e burimeve të rinovueshme dhe shterueshme, dhe degradimin e mjedisit, përfshirë këtu efektet në ndryshimet klimaterike, por duke përmirësuar qeverisjen e çështjeve detare, Shqipëria do të garantojë një rritje më të qëndrueshme. Kjo ecën paralelisht me përforcimin e kapaciteteve të porteve për të pritur dhe mbështetur zhvillimin e ambicieve të formave të ndryshme të transportit për vendin dhe për rajonin në kuadër të axhendës së BE-së për ndërlidhshmërinë e Ballkanit Perëndimor”.

Projekti do të përfitojë nga përvoja norvegjeze, si një prej vendeve udhëheqëse në sektorin detar në Evropë dhe më gjerë.

Partnerë kryesorë të programit janë Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare, Autoritetet Portuale në Shqipëri, Roja Bregdetare Shqiptare , Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe sektori privat.

Sektori detar ka pasur rritje të konsiderueshme vitet e fundit, dhe mbetet një burim për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Të dhënat mbështetëse të INSTAT-it tregojnë se në vitin 2017, krahasuar me 2016-n, vëllimi i kargove të ngarkuara dhe shkarkuara në portet e Shqipërisë është rritur me 7,1%, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjat detare është rritur me 16,9%, mallrat e transportuara në rrugë detare zënë 62,8% të totalit të transportit si dhe mallrat e importuara në rrugë detare zënë 48.6 %.Pozicioni i favorshëm gjeografik i Shqipërisë, që lidhet me detin Adriatik dhe Jon dhe me detin e Mesdheut Qendror, e bëjnë Shqipërinë në një vend të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve detare.

Kjo ndërhyrje do të kontribuojë duke e vënë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtë dhe duke rritur konkurrencën në sektorin detar.

Facebook Comments

MineralHygienics.com