Banorët e ‘Unazës së Re’, banesat e të cilëve do të shemben në sajë të projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe, e kanë zhvendosur protestën e tyre para bashkisë së Tiranës.
Mësohet se protestuesit janë mbledhur para bashkisë, ndërsa kërkojnë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, që të marrin përgjigje lidhur me fatin që do të kenë banesat e tyre. Gazetari Erjon Skëndaj raporton për ‘BalkanWeb’ se sapo turma e qytetarëve u mblodh para bashkisë, por duke mos penguar qarkullimin e mjeteve, policë të rendit kërkuan që ata të largoheshin, pasi nuk ishte marrë leje për tubimin.
Pas disa minutash bisedime, policia u tërhoq, ndërsa qytetarët vijojnë të qëndrojnë para këtij institucioni, ndërsa pohojnë se nuk do të largohen prej aty pa takuar Veliajn. Ata shprehen se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa shtojnë se shteti po i nxjerr në qiell të hapur.