May 5, 2024

Ulje rekord në humbjet e energjisë, rriten arkëtimet

Shifrat e fundit të 9-mujorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë tregojnë për rezultate jashtëzakonisht të dukshme, duke shënuar një rekord historik me mesatare humbjesh nën 24% për vitin 2018. Në krahasim me para disa vitesh humbjet kanë qenë mbi 45% dhe ulja është drastike. 

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri paraqiti shifrat ndërsa inspektoi zyrën e Kujdesit ndaj Klientit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Kukësit.

“Jemi në një situatë krejt tjetër ku ne po synojmë standarde edhe më të larta. Edhe për sa i përket pikëpamjes së arkëtimit, Operatori i Shpërndarjes këtë vit prapë paraqitet me një performancë më të mirë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai i vlerësoi model nga pikëpamja e infrastrukturës, zyrat e shërbimit të klientit të Operatorit të Shpërndarjes në Kukës. “Qarku Kukës që përgjithësisht ka qenë problematik në të kaluarën, ka përmirësime të dukshme për sa i përket arkëtimeve dhe uljes së humbjeve”, theksoi ministri Gjiknuri.

 Më tej, ai u ndal tek statistikat e publikuara për rezultatet e 9-mujorit të OSHEE-së duke nënvizuar se vazhdon konsolidimi në uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve.

 Në vlerësimin e ministrit, këto rezultate tregojnë se konsolidimi i reformave po jep efekt duke ulur humbjet, rritur arkëtimet dhe shëndoshur financiarisht kompanitë publike. Kjo sipas tij i ka bërë kompanitë të afta të përballojnë edhe sfida hidrike pa kërkuar të mbështeten nga Buxheti i Shtetit siç ndodhte më parë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com