Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke folur sot për çështjen e tij në një konferencë jo të zakontë për mediat, kujtoi se vetëm në vitin e mbrapshtë 1997, kur në të gjithë Shqipërinë u vranë 3 mijë vetë, në hetimin e çështjes u angazhuan mbi 7 prokurorë sikurse ndodhi me çështjen e tij.
Ai u shpreh:
Ende nuk është fundi. Prokurorisë shqiptare i duhet akoma kohë për të vërtetën. Unë, pas hetimit të 3 mijë të vrarëve në vitin 1997, unë nuk mbaj mend të jenë preokupuar mbi 7 prokurorë për një çështje. Unë them boll! Tani nuk kam më çfarë pres. Nëse nuk mjaftojnë 7 prokurorë, i bëni 70, por na tregonit ë vërtetën mua dhe shqiptarëve, siç bënë prokurorët në Itali. Hetoni ku kam ngrënë, ku kam pirë, ku i kam bërë pushimet, kush është futur në shtëpinë time. Gjithçka. Çfarë duhet akoma, nuk e di. Nuk më ka humbur durimi dhe nuk do më humbasë kurrë, deri sa të dalë e vërteta, siç doli në Itali. Nuk e di pse vonojnë të hetojnë”. Duke folur për një dorë të zezë që hedh baltë mbi deputetë, politikanë e këdo që i del para, Tahiri përmendi Berishën e Bashën, të cilët i cilësoi si kriminelë ordinerë, të cilët nuk u gjykuan kurrë për krimet e tyre.
Ish-ministri i Brendshëm tha:
Unë do të vazhdoj të pres, sepse unë nuk jam Lulzim Basha, një kriminel ordiner që vodhi e vrau me Berishën e nuk u gjykuan. . Unë jam ndryshe. Nuk jam si këta, është mallkim i madh të jesh si këta. Unë gabova, por punova. Unë jam Saimir Tahiri që kam qenë e do jem po njëlloj, me të njëjtën forcë për të luftuar ër të vërtetën e të drejtën. Beteja ime do të vazhdojë deri sa drejtësia në Shqipëri të dalë, vetëm atëherë unë do të jem i lirë.”