Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën e 179.98 miliardë lekë për vitin 2019.
Kështu deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ndërsa prezantoi projektbuxhetin e vitit 2019 në mbledhjen e kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit. Ahmetaj tha se për herë të parë, fondi prej 5 miliardë lekësh nuk do të jetë objekt i deficitit buxhetor.
“Dua t’ju tërheq vëmendjen në një fakt mjaft pozitiv dhe interesant sa i përket fondit të kompesimit të ish-pronarëve. Për herë të parë, në buxhetin e vitit 2019 jo vetëm që do të jetë një shumë 5 miliardë e nominuar në bazë të ligjit që kemi hartuar për trajtimin e ish-pronarëve me kompensim, qoftë fizik, qoftë monetar, shuma prej 5 miliardë lekësh nuk do të jetë objekt i deficitit buxhetor. Që do të thotë që, pavarësisht se deri në fund të vitit fiskal 2019, të mos jetë harxhuar, pjesa e mbetur do të jetë e trashëgueshme për vitin 2020, e kështu me radhë, në mënyrë që fondi për kompensimin e ish-pronarëve të mos preket në varësi të fluturimit potencial të deficitit”, – sqaroi ministri.
Fondi për kompensimin në vlerë të pronarëve parashikohet në total 5 miliardë lekë. Sipas Ahmetaj, nga 2016, fondi i kompensimit është rritur nga viti në vit, duke synuar në 2021, shumën prej 5.5 miliardë lekë, krahasuar me 1.89 miliardë lekë që ishte në 2013.