Prodhimi i energjisë bërthamore në botë është në rënie, ndërsa është rritur energjia e rinovueshme. Në vitin 2017 dhe gjysmën e parë të 2018-s.
Gjatë vitit 2017 dhe gjysmës së parë të 2018-s, stacionet bërthamore i shtuan në total 7 gigavatë totalit të energjisë së prodhuar nga të gjitha burimet, që llogaritet në 257 gigavatë, ku përfshihen edhe 157 gigavatë që vijnë nga burime të rinovueshme. Kjo është rritja më e madhe e shënuar ndonjëherë në prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Gjatë periudhës prej një viti e gjysmë, 6 reaktorë të rinj bërthamorë nisën punën në Kinë , 2 në Rusi dhe 1 në Pakistan. Për të tretin vit radhazi, duke përjashtuar Kinën, prodhimi global i energjisë bërthamore ka shënuar rënie, thuhet në Raportin Botëror të Statusit të Industrisë Bërthamore 2018 (WNISR2018).
Sipas raportit, teknologjia atomike me kalimin e kohës ka ardhur duke u bërë më e kushtueshme, për shkak të masave të sigurisë, mirëmbajtjes së impianteve të vjetra dhe depozitimit të mbetjeve, ndërsa burimet e rinovueshme janë gjithnjë e më të lira. Vendet që vazhdojnë të investojnë në energjinë bërthamore, sipas raportit, e bëjnë këtë për lidhjet e që ka ajo me sektorin ushtarak.
Makinat elektrike në Kinë dhe energjia e prodhuar nga era kanë ndikuar në rritjen e investimeve në prodhimin e asaj që njihet si energji e pastër.
Në periudhën korrik-shtator 2018, investimet në rang botëror në këtë sektor kanë qenë 67.8 miliardë dollarë, me një rënie prej 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Bloomberg parashikon që ky vit të mbyllet me një nivel investimi në energjinë e pastër të barabartë me atë të vitit të kaluar. Sektori kinez i makinave po tregon vitalitet të madh. Tre kompani në Kinë në tremujorin e tretë kanë mbledhur në total një kapital prej 1.9 miliardë dollarë.
Ndërkohë në impiantet e prodhimit të energjisë nga era kanë investuar Holanda (1.5 miliardë dollarë për parkun e Borssele), Teksasi (1 miliard dollarë në Hale County) dhe Tajvani.(TemA TV)