Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Bali, Indonezi në datat 12-14 tetor 2018.
Sejko zhvilloi disa takime me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ku bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështeturrritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Në vijim, Guvernatori prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë si politika monetare lehtësuese, e shoqëruar me politikat stimuluese makroprudenciale, me qëllim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të japë gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar, me synim nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv.
Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme në nivelin 12.9%, më i ulëti në këto vitet e fundit, është një shenjë mjaft pozitive, e cila i hap rrugë rritjes së pranisë dhe kontributit të sistemit bankar në ekonomi dhe nxitjes së mëtejshme të një kreditimi të shëndetshëm.
Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar është aktualisht nën një proces konsolidimi dhe siguroi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikmëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat rregullative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në veçanti, mbajtja e një kursi akomodues të politikës monetare, në harmoni me atë konsoliduese fiskale, ndërhyrjet në tregun valutor me qëllim ruajtjen e objektivit të inflacionit, si dhe kujdesi i vazhdueshëm i treguar në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar, u cilësuan si veprime mjaft të nevojshme dhe të përshtatshme, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.