November 25, 2024

FMN & BB: Shqipëria të përgatitet për goditje të mundshme ekonomike!

Ekonomia shqipetare duhet të përgatitet nga goditjet e mundshme nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm. Ky është apeli që vjen nga Banka e Shqipërisë, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore. Ky apel është bërë gjatë Mbledhjes Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), që u zhvillua në Bali, Indonezi. “Trendi rënës i raportit të kredive me probleme është një ndër treguesit mjaft domethënës e, megjithatë, paralelisht me vazhdimin e punës në drejtim të nxitjes së aktivitetit ekonomik, është po ashtu mjaft e rëndësishme që vendi dhe institucionet të jenë të mirëpërgatitura dhe të reagojnë në kohën dhe mënyrën e duhur, në rast të ndonjë goditjeje nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm”, thuhet në raportimin e Bankës së Shqipërisë.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se zgjerimi global mbetet i fortë. Rritja ekonomike është parashikuar të jetë e qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe e moderuar më vonë. Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike gjithnjë e më shumë bëhet më e pabarabartë, ndërsa janë materializuar disa nga rreziqet e identifikuara më parë. Në përgjithësi, rreziqet gjithnjë e më shumë po orientohen për poshtë, në kushtet e tensioneve tregtare të intensifikuara, shqetësimeve të vazhdueshme gjeopolitike, dhe kushteve financiare më të shtrënguara, duke ndikuar në veçanti shumë tregje në zhvillim dhe ekonomi të zhvilluara. Pasiguria politike, nivelet e larta historike të borxhit, brishtësitë financiare në rritje dhe hapësira e kufizuar e politikës mund të minojnë besimin dhe të ardhmen e rritjes ekonomike.

Në këtë mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët, të kryesuar nga Guvernatori Sejko dhe përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ekspertët e huaj nënvizuan se ekonomia shqipetare ka vijuar të ecë në një trajektore pozitive, ndërkohë që trajtimi i sfidave kryesore, me të cilat ajo përballet, është mjaft i rëndësishëm dhe mbetet një prioritet, vijimi i punës për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e eficiencës dhe zgjerimit të potencialit ekonomik.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit u shprehën se Shqipëria ka treguar se është e orientuar drejt normalizimit dhe rritjes së besueshmërisë, si dhe po ndërmerr masat e nevojshme që ndikojnë në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike. Delegacioni zhvilloi takime edhe me homologë nga vende të ndryshme, ku pati mundësinë të diskutojë mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Facebook Comments

MineralHygienics.com