December 23, 2024

Pulë e zier me ullinj

Një recetë mjaft e shijshme, që i bashkon në tavolinë të gjithë.

Përbërësit:

⦁ 1 kg pulë e prerë në copa;
⦁ 2 qepë;
⦁ 4 thelb hudhër;
⦁ 2 speca të kuq, të freskët;
⦁ 100 gr. ullinj;
⦁ 200 gr. domate të freskëta;
⦁ 1 konservë domate, (pa lëkurë, 270 gr.);
⦁ 1 spec djegës;
⦁ vaj për skuqje;
⦁ kripë, piper i bluar.

Përgatitja:

Copat e mishit të pulës i lajmë, i thajmë, i kriposim dhe i pudrosim me piper.

Në vajin e nxehur në tenxhere, skuqim copat e mishit të pulës, deri sa ato të marrin ngjyrën e verdhë të artë e më pas, i largojmë nga ena, duke i lënë në të ngrohtë.

Në të njëjtin vaj, zbusim qepën e grirë, shtojmë hudhrën e grirë dhe kur të fillojë të ndjehet aroma, shtojmë specat e freskët, dhe specin djegës, të prerë në katrorë, domatet e freskëta, të prera në kocka, duke i skuqur për pak dhe duke u shtuar në fund, domatet nga konserva të prerë në copa, bashkë me lëngun e tyre.

Më tej, shtojmë edhe ullinjtë, si dhe copat e pjekura të pulës.

Salcën e kriposim dhe e ziejmë ngadalë, të mbuluar me kapak, në zjarr të lehtë, për 25 minuta. Pulën e zbulojmë dhe e ziejmë, deri sa salca të fitojë dendësinë e duhur.

Ushqimi shërbehet me makarona apo si pjatë e dytë, sipas dëshirës.

Facebook Comments

MineralHygienics.com