December 27, 2024

Kosovë, a po venitet ideja për korrigjimin e kufijve?

Ndryshimi i kufijve, si një ide që nuk ishte e re, por e cila u aktualizua nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po vlerësohet se është duke u zbehur ende pa u trajtuar seriozisht nga instancat më të larta të dy shteteve dhe akterëve relevantë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si lehtësuesja kryesore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka dalë me një elaborim të plotë të kësaj ideje.

Kurse presidentët e të dyja vendeve, bazuar në deklaratat e tyre të ditëve të fundit, nuk qëndrojnë më në të njëjtat pozicione si më parë rreth çështjes së kufijve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë sinjalet e para se edhe ai po largohet nga ky opsion, duke thënë se nuk po gjen mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb Vuçiq kishte deklaruar se për çështjen e ndryshimit të kufijve nuk ka çfarë të flitet, pasi që sipas tij, ideja është refuzuar nga Bashkimi Evropian, si dhe nga serbët dhe shqiptarët, në Serbi e Kosovë.

Image

Mirëpo, në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende proklamon se ndryshimi mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë, duke pretenduar se mund të bëjë një korrigjim të kufirit, me përfshirjen e tri komunaveme popullatë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në kuadër të kufirit të Kosovës.

Por, në Prishtinë pak kush pret që një ndryshim eventual i kufirit mund të kalojë pa tensione dhe të mos përfshijë si shkëmbim edhe pjesën veriore të Kosovës të banuar me popullatë serbe, andaj edhe nga pjesa më e madhe e spektrit politik nuk preferohet fare si opsion.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, thonë se përgjigja e Haradinajt ndaj idesë për ndryshimin e kufirit ishte shumë e qartë.

Deputeti i AAK-së, Ahmeti Isufi thotë se kryeministri Haradinaj ka treguar që kjo është një ide e papranueshme.

“Kryeministri më saktë se kushdo tjetër e thotë se prekja e kufijve çon në luftë. Unë nuk e di se çka mund të jetë pozicion apo qëndrim më i qartë jo vetëm i kryeministrit Haradinaj, por edhe i partisë që përfaqësohemi në Kuvendin e Kosovës”, thotë Isufi.

Ndryshimi i kufijve apo korrigjimi, term ky që e përdorë presidenti i Kosovës, për Lidhjen Demokratike të Kosovës shihet si veprim i rrezikshëm dhe i nxituar.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se një proces kaq i rëndësishëm nuk mund të përmbyllet me një marrëveshje Thaçi – Vuçiq, ngase prekja e kufirit prek edhe vetë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

“Korrigjimi i kufijve është korrigjim i Deklaratës së Pavarësisë. Në këtë vend askush nuk ka gatishmëri që të shkojë në atë drejtim. Ne besojmë që në këtë proces nuk mund të hyjmë vetëm. Ne nuk mund të themi që na leni neve të arrijmë një marrëveshje dhe të shohim pastaj a do të pajtoheni apo jo”, thekson Hoti.

Facebook Comments

MineralHygienics.com