Pasuria financiare e familjeve shqiptare u tkurr me 29 miliardë lekë në 6 muajt e parë të vitit, e dëmtuar edhe nga efekti gërryes i zhvlerësimit të euros ndaj lekut.
Të dhënat janë raportuar nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës, në qershor të këtij viti, vlera e aseteve financiare të zotëruara nga shqiptarët u ul në 1 mijë e 110 miliardë lekë, nga 1 mijë e 139 miliardë lekë që ishte shifra në fund të vitit të kaluar.
Këto janë kryesisht parà që familjet shqiptare i kanë kursyer në depozita bankare, letra me vlerë të qeverisë, fonde investimi ose në pensionet private.Leke-numerim-tjeter
Të dhënat tregojnë se rënia më e madhe në pasurinë e individëve ka ardhur te depozitat në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat e shqiptarëve në valutë u rrudhën me 22.4 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit, duke zbritur në 447.1 miliardë lekë.
Ky efekt ka ardhur kryesisht nga zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, pasi paratë që shqiptarët kanë mbyllur në euro tani vlejnë më pak nëse konvertohen në lekë. Por, përtej kursit të euros, pasuria financiare e individëve ka rënë edhe për asetet e ruajtura në monedhën kombëtare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë të familjeve shqiptare u ulën me 10.7 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit, çka dëshmon se familjet kanë prekur kursimet përballë rënies së të ardhurave, ose i kanë kanalizuar ato në forma të tjera investimi, jashtë sistemit financiar, të nxitur edhe nga normat e ulëta të interesit që fitohen në banka./TCH