Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e sotme në Dibër, ku një shofer autobusi që transportonte nxënës shkolle, ka dhunuar njërin prej fëmijëve, ka reaguar edhe policia.
Siç raporton kjo e fundit, shoferi i arrestuar është 35 vjeçari, Edmond Sela.
Njoftimi i Policisë
Pas denoncimit nga Ministria e Arsimit, te një videojeje ku shfaqet një drejtues autobusi që ushtron dhunë ndaj dy nxënësve, sqarojmë se:
Policia e Dibrës menjëherë ka bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë, të drejtuesit të autobusit, shtetasin Edmond Sela, 35 vjeç, banues në fshatin Burim, Dibër.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. Sela, me automjetin e tij autobus, me targa AA 633 BO kryente transportin e nxënësve në rrugë dytësore nga fshati Burim për në shkollën e Majtarës, në njësinë administrative Maqellarë.
Në datë 4. 10. 2018, ky shtetas ka ushtruar dhunë ndaj dy nxënësve, pasi pretendonte se i kishin djegur me cigare sediljet e automjetit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi Edmond Sela, u arrestua për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal. Gjithashtu rezultoi se kishte mangësi në dokumentacion, e për mangësitë e konstatuara do të procedohet administrativisht nga Policia Rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër është e angazhuar maksimalisht për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht për sigurinë e fëmijëve dhe fton qytetarët, nxënësit, prindërit e mësuesit të denoncojnë çdo shkelje apo cenim të dinjitetit, shëndetit e jetës së tyre, duke garantuar një reagim të shpejtë profesional dhe të paanshëm.