May 7, 2024

Kumbaro i kthehet qendrës në Butrint: Ishte barakë plehrash, e bëmë pikë pushimi

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i është rikthyer sërish debatit të rreth një viti më parë për ringritjen në Butrint të qendrës së vogël funksionale, e cila ofron shërbime për vizitorët e këtij siti.

Gjatë fjalës në ceremoninë për lidhjen e kontratës me studion britanike, e cila do të hartojë Planin e Integruar të Menaxhimit të Butrintit, Kumbaro tha se, qendra për të cilën u bë shumë zhurmë, është një pikë pushimi dhe informacioni për të gjithë vizitorët.

Sipas saj, ringritja e qendrës, pa cënuar trashëgiminë, pa cënuar arkeologjinë, në përputhje me të gjitha rregullat e ligjet e shtetit shqiptar dhe me rekomandimet e UNESCO-s, ishte e domosdoshme dhe tregon në fakt kujdesin që duhet të kemi ndaj vizitorëve.

“Dhe që të jem e qartë, e kam fjalën për qendrën e vogël funksionale që, nga një barakë plehrash e kthyem në një pikë pushimi dhe informacioni shumë të këndshme, e që çuditërisht, pas gjithë britmave e klithmave me baltë të një viti më parë nga ata që Butrintin e shohin si mollë sherri dhe jo si pasuri kulturore dhe akses për publikun, askush nga 200 mijë vizitorët që kanë frekuentuar parkun nga 1 janari 2018, nuk u ankua e nuk anatemoi! Përkundrazi! Por për këtë do të ishte mirë, që çdokush para se të flasë të shkojë ta vizitojë. Dhe këtu e quaj të mbyllur atë histori të mejhaneve politike banale dhe të makinës së baltës me të cilën përballemi tashmë prej 5 vjetësh sa herë ndërmarrim një nismë të re për ndryshim”, tha Kumbaro.

Facebook Comments

MineralHygienics.com