May 18, 2024

“Së shpejti nis rruga alternative në kalanë e Gjirokastrës”

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Gjirokastra se së shpejti do të nisë investimi për rrugën alternative në kalanë e Gjirokastrës.

Në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të Rilindjes së Pazarit të Gjirokastrës, Kryeministri Rama theksoi se “restaurimi i Pazarit është pika e kthesës së Gjirokastrës është fundi i një historie shqetësuese për sa i përket të ardhmes të trashëgimisë kulturore siç është faza e parë që do të pasohet nga ndërhyrja në gjithë infrastrukturën e rrugicave”, tha Rama.

“Është anormale që në kohën që ne duam, që kjo zonë të popullohet me turistë në një sezon që duhet synuar të zgjatet vit pas viti, turistët të jenë të shqetësuar nga automjetet që kalojnë në zonë përveçse dëmin që ato bëjnë në investimin që ne do të kryejmë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “do të transformojmë zonën e hyrjes që sot vazhdon mbetet një parkim autobusësh dhe makinash në asfalt, duke i shtyrë më poshtë automjetet dhe duke krijuar një parkim nëntokësor nën sheshin e Çerçizit”.

“Jam i bindur se harmonizimi midis trashëgimisë kulturore këtu në qytet dhe mundësive për të dalë nga qyteti për një mijë e një arsye që jep zona mund të na japë një instrument plus në përpjekjen për zhvillimin e qëndrueshëm në gjithë këtë hapësirë”, tha Rama.

Kryeministri Rama nënvizoi gjithashtu se “ne do të vazhdojmë të punojmë me një vëmendje shumë të madhe për gjithë këtë hapësirë dhe të kërkojmë të kombinojmë Gjirokastrën me Libohovën, Dropullin, Përmetin, Tepelenën, Memaliaj duke u mbështetur tek boshti Gjirokastër-Tepelenë që ka një potencial shumë të madh, gjithmonë për të zgjeruar harkun e kohës së qëndrimit në këtë territor dhe për të marrë më shumë nga kurioziteti dhe gatishmëria e turistëve për të qëndruar në këtë territor”.

Kryeministri Rama falënderoi Michael D.Granoff, kryetarin e Bordit të Fondit shqiptaro-amerikan të ndërmarrjeve, për mbështetjen që ka dhënë për finalizimet e projekteve në Gjirokastër, si dhe kërkoi që fondi të japë edhe më shumë fonde seç ka dhënë deri më sot.

Facebook Comments

MineralHygienics.com