Një grua 55-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë. Ajo dogji pa dashje 3 mijë pemë ullinj dhe nga frika e konfliktit me fqinjët dhe arrestimi nga policia ajo i dha fund jetës.
Dallëndyshe Blliku kishte ndezur një zjarr pranë shtëpisë për të djegur disa mbeturina dhe nga era që frynte flakët kanë përfshirë ullishtat. Burri i saj e kishte udhëzuar të mos ndizte zjarr nëse do ishte erë, sepse rrezikonte nga djegia, dhe ajo nuk e kishte dëgjuar.
Fillimisht nuk u mor vesh arsyeja, por vetëm pasi Policia dhe ambulanca shkuan për t’i dhënë ndihmë, burri i saj tregoi arsyen. Ai u tha uniformave blu se Dallandyshja kishte pirë fostoksinën për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në të cilën ndodhej pas zjarrit të shkaktuar.
“I mblodhëm dje ato mbeturinat, e unë i thashë mos i digj po pati erë se mos na bën dëme. Më vonë mora vesh që ajo e kish ndezur zjarrin. Erdhi dhe më tha nga ora 7 e darkës. I thashë, na paske hapur punë. Sa thashë unë këtë, ajo shkoi mbrapa te lopët dhe aty ka pirë fostoksinën. Pak më vonë erdhi kryeplaku, i mori deklaratën pastaj i tha ‘Hë se nuk ke bërë gjë’. Mua më erdhi era e fostoksinës dhe e pyeta: Mos ke pirë gjë? Jo më tha. Rrugës për në Polici, kur i plasën të vjellat, tregoi që kishte pirë fostoksinë”, tregon bashkëshorti i saj.