December 27, 2024

Angela Merkel drejt fundit

Një ndryshim personeli të martën tregoi se kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk organizon dot më mazhoranca as brenda radhëve të saj. Rrezik për fund të shpejtë të kësaj qeverie, mendon kryeredaktorja, Ines Pohl.

Nga Ines Pohl, Deutsche Welle

Kryetarët e grupeve parlamentare quhen të suksesshëm atëherë, kur opinioni nuk merret shumë me punën e tyre. Në sistemin partiak gjerman, ata janë përgjegjës për t’i organizuar kreut të partisë mazhorancat e deputetëve të partisë së vet. Nëse kryetarja apo kryetari i partisë është edhe kancelare apo kancelar, atëherë ata kujdesen, që këta ta bëjnë punën e tyre pa shumë zhurmë. Teorikisht.

Por çështja është se aktualisht në qeverinë gjermane asgjë nuk zhvillohet pa zhurmë. Edhe negociatat për krijimin e qeverisë u shoqëruan nga intrigat, dorëheqjet dhe rreziku i përhershëm i zgjedhjeve të reja. E gati në të njëjtën ditë, një vit pas zgjedhjeve të Bundestagut, duket se është vetëm çështje kohe shpërbërja e koalicionit dhe Gjermania do të fillojë sërish të kërkojë një qeveri të re.

Revolucion në pallat

Jo vetëm pse partitë qeverisëse grinden me njëra-tjetrën si në pazar duke e humbur besueshmërinë tek popullata me luftërat për pushtet. Tani Angela Merkelit i ka ikur nga dora edhe mazhoranca në radhët e veta. Moszgjedhja e të besuarit të saj prej vitesh dhe kryetarit të fraksionit, Volker Kauder është një revolucion në pallat, që mund të përfundojë në një skenar: Zgjedhje të reja pa Angela Merkelin, që për 13 vjet përcaktoi fatet e Gjermanisë dhe Europës.

Fakti që zgjedhja e politikanit gati të panjohur, Ralph Brinkaus u bë e njohur pikërisht në atë moment, kur Donald Trump sërish e sulmoi verbalisht Gjermaninë hedh një dritë të çuditshme mbi Gjermaninë si fuqinë më të madhe ekonomike europiane.

Shumë deputetë të parlamentit aktual gjerman duket se nuk e kanë kuptuar ende seriozitetin e momentit. Ata u zgjodhën nga qytetaret e qytetarët e këtij vendi për t’u angazhuar për të mirën e Gjermanisë. Dhe jo për ta pezulluar me javë qeverisjen, për t’u grindur për vogëlsira, për personelin e me këtë duke ndihmuar vetëm të forcohet AfD.

Çmontim i personalitetit të vetëm të besueshëm

Nga dita e parë, kësaj qeverie i mungonte një projekt i përbashkët politik, sidomos personalitete aktive, që kanë dimensionin e drejtimit të Gjermanisë në kohë të vështira. Personaliteti i vetëm i i besueshëm ishte Angela Merkel, deri në të martën historike (25.09) e cila e mbulonte dhe tejkalonte përçarjen e thellë në koalicionin qeveritar dhe në radhët e veta.

Kjo tani ka marrë fund. Deputetët e CDU dhe CSU-së nuk refuzuan vetëm Volker Kauderin, si kryetar grupi parlamentar të CDU/CSU-së. Ata e denigruan publikisht kancelaren në këto kohë ta pasigurta. Me këtë tani çështja nuk shtrohet më, se a po vjen fundi i Angela Merkelit, por se sa shpejt do të vijë ai.

Një zhvillim që meriton vëmendje! Jo vetëm, sepse po gëzohen AfD dhe Donald Trump.

Facebook Comments

MineralHygienics.com