Çdo ndryshim kufijsh të Kosovës nuk ka gjasa të kalojë pa dhunë. Kështu shkruan ‘Koha Ditore’, duke cituar vlerësimin e disa ambasadorëve europianë në Prishtinë, në një raport konfidencial të hartuar për nevojat e Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), një organizatë paneuropiane me ndikim të madh.
Raporti vlerëson se, edhe presidenti Thaçi ka nisur ta humbasë përkrahjen e vëzhguesve të huaj në Kosovë, ndërsa si kundërshtarë të idesë së tij për ndryshimin e kufijve dhe këmbimin e territoreve përmenden kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Lëvizja Vetëvendosje.
‘Të dyja palët në debatin rreth idesë së ‘korrigjimit të kufijve’ janë të përcaktuara qartë në vend: kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe partia opozitare Vetëvendosje e kundërshtojnë idenë, ndërsa Thaçi është përkrahësi i saj kryesor’, thotë raporti.
Raporti trifaqësh, një kopje të të cilit e posedon ‘Koha Ditore’, është hartuar nga Norbert Roettgen, kryesues aktual i Komisionit për Politikat e Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë ‘Bundestag’ dhe Robert Cooper, ish-mbikëqyrës i dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, dhe trajton çështjen e referendumit për emrin e ri të Maqedonisë, si dhe debatin në Kosovë rreth ndryshimit të kufijve.
Roettgen dhe Cooper, që të dy anëtarë të Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, gjatë shtatorit kanë vizituar rajonin dhe kanë biseduar me udhëheqës e personalitete të ndryshme, përfshirë presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj, përfaqësuesen e BE-së, Natalya Apostolova, si dhe kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në pjesën për Kosovën, ata nënvizojnë se nuk është e besueshme që një plan konkret për marrëveshjen Kosovë-Serbi është i gatshëm, e theksojnë se qeveritë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë ‘nuk duhet të ngazëllehen së tepërmi me idenë për ndryshimin e kufijve. Nëse kjo ndodh, gjasat janë se do të kalojë kohë para se të shfaqet një propozim funksional në tavolinë’.
Në raport ata vlerësojnë se ka shumë ‘konfuzion dhe mosdurim’ në debatin politik rreth temës së kufijve në Prishtinë dhe kjo është e shoqëruar me ‘mesazhe kundërthënëse’ nga aktorët ndërkombëtarë.
‘Luftimet dhe konfrontimet politike mes partive, spekulimet dhe teoritë e konspiracionit e karakterizojnë debatin’, thuhet në raportin e titulluar ‘Një epokë e re në Ballkan?’, ku seksioni për Kosovën është emërtuar ‘Çështja e kufijve në Prishtinë’.