Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpërndan librat falas për fëmijët e komunitetit rom, në banesat sociale në Lanabregas: “Investimi në arsim, më i rëndësishmi, e gjithë vëmendja tek fëmijët”
“Investimi më i rëndësishëm është ai në arsim, ndaj në kuadër të reformave të qeverisë, familjet në nevojë përfitojnë bonus për çdo fëmijë, për mosbraktisjen e shkollës”.
Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu gjatë shpërndarjes së librave falas për fëmijët e komunitetit rom, pranë banesave sociale në Lanabregas, në Tiranë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mbështet financiarisht fëmijët e familjeve që përfitojnë nga pagesa e ndihmës ekonomike, që të mos braktisin shkollën. Mbi 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë, përfitojnë nga kjo politikë nxitëse për arsimimin e fëmijëve, pagesa të posaçme për ndjekjen e arsimit të detyrueshëm”, tha Manastirliu. Vetëm për vitin 2018 fondi i vënë në dispozicion për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, për fëmijët që nuk braktisin shkollën është 171 milion lekë. Gjatë shpërndarjes së librave dhe mjeteve shkollore falas për fëmijët e komunitetit rom që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, Manastirliu theksoi rëndësinë e vendimit të Qeverisë për libra falas nga klasa e parë në të katërtën për çdo fëmijë si dhe për të gjitha klasat, për fëmijët e familjeve në nevojë.
“Reformat e Qeverisë që garantuan libra falas për 190 mijë fëmijë, ku përfshihen edhe fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian, padyshim që do t’i afrojnë më shumë këta fëmijë drejt arsimimit, si mënyra më e mirë për t’u integruar në shoqëri”, tha Manastirliu.