Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç mbërriti në Zubin Potok. Ai me këtë rast ka dhënë edhe deklaratën e tij të parë në lidhje me vizitën dyditore në Kosovë.
“Jam i lumtur që jam këtu, ndihem mrekullueshëm”, u shpreh ai gjatë qëndrimit në Zubin Potok, ku vizitoi Qendrën për ekologjinë dhe zhvillimin e sportit dhe Qendrën e Kryqit të Kuq, njofton RTK.
“Këto janë objekte që janë ndërtuar me paratë e qytetarëve të Serbisë, dhe do të përdoret nga të rinjtë e këtij rajoni”, ka thënë Vuçiç, me të cilën në Kosovë janë edhe drejtori i Zyrës për Kosovë Marko Gjuriq, ministri i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar dhe kreu i BIA Bratislav Gashiç.
Një parullë e madhe me mbishkrimin “Mirë se vini President” është shpalosur në digën e liqenit Ujman. Flamuri i Serbisë dhe tabelat janë gjithashtu të paraqitura në Leskovë, Leposavië, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Ato janë të vendosura gjatë gjithë rrugës nga Jarinje në Mitrovicë.
Vuçiç do të vizitojë fermën e familjes Kovaqeviq në Ibarsko Postenje dhe shkollën bujqësore në Leshak.
Në sallën e Sporteve në Leposaviç, ai do të drejtojë mbylljen e Forumit të Biznesit, ndërsa në mbrëmje do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.
Në prag të vizitës së presidentit të Serbisë, KFOR tha në një deklaratë se situata është e qetë dhe stabile.
KFOR është urdhëruar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të lejuar një vizitë nga presidenti Vuçiç, i cili më herët kishte thënë se në Kosovë do të mbajë fjalimin e tij më të rëndësishëm.
Ndiqni fillimin e vizitës me foto: