Qeveria braziliane deklaroi se do të ofrojë mbi 2 milionë dollarë amerikanë për rindërtimin e Muzeut Kombëtar të Rio de Janeiro-s, që u dogj nga flakët natën e së dielës.
Ministri brazilian i Arsimit Rossieli Soares tha se shuma 2 milionë USD do të sigurohet nga një fond emergjent, ndërkohë që do të kërkohet mbështetje ndërkombëtare për një koleksion të ri për muzeun.
Edhe pse është një nga muzetë më të rëndësishëm në botë, ai ka pasur probleme disavjeçare për gjetjen e burimeve të mjaftueshme për mirëmbajtjen e tij. Flakëve u mbijetuan vetëm 10 për qind e më shumë se 20 milionë artefakteve në koleksionin e muzeut 200-vjeçar. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende, ndërkohë që hetimet vijojnë./CRI