November 25, 2024

Tirana kthehet kantier ndërtimi, u dhanë 50% më shumë leje

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për tremujorin e dytë u rrit me 27.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave raportoi se për periudhën prill-qershor njësitë e qeverisjes vendore dhe Këshilli Kombëtar i Territorit kanë miratuar rreth 293 mijë metër katrorë ndërtime të reja krahasuar me 229 mijë metra katrorë që ishte shifra në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja më e madhe e lejeve të miratuara ka ardhur nga ndërtesat industriale që shërbëjne për qëllime biznesi, por rritje kanë patur edhe lejet për pallate të reja. Sipas Instat, sipërfaqja e lejeve të miratuara për ndërtesat industriale u rrit me 68%, ndërsa për ndërtesat e banimit rritja është 10%.

Sipas të dhënave të Instat, e gjithë rritja në shkallë kombëtare e lejeve të ndërtimit ka ardhur nga Qarku i Tiranës. Për periudhën prill-qershor të këtij viti, në Tiranë janë miratuar 214 mijë metra katrorë ndërtime të reja, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prej tre vitesh, sektori i ndërtimit është në fazë zgjerimi, kryesisht për shkak të investimeve në banesa të reja, por edhe ndërtesave tregtare dhe hoteleve. Sipas Instat, vlera e parashikuar e investimit për lejet që janë dhënë në tremujorin e dytë të këtij viti arrin në 11,1 miliardë lekë ose rreth 90 milionë euro. TCH

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com