December 23, 2024

Sport /Formacioni më i mirë i javës së dytë

Një formacion pak më ndryshe nga herët e tjera, ku lojtarët me tipare mbrojtëse shpesh kanë bërë diferencën në një futboll ku golat numërohen me pikatore. Megjithatë, nuk mungojnë edhe individualitete të spikatura në fazën sulmuese, emra ët cilët kanë spikatur që në edicionin e kaluar.

Lojtarët:

Alesio Abibi – Tirana: Pritjet e tij ndaj Teutës, sidomos në pjesën e parë, i japin mundësinë Tiranës që të dalë me pikë për herë të parë këtë sezon nga stadiumi “Selman Stërmasi”. Një element me shumë perspektivë, po të llogarisësh se për momentin ka kaluar në hierarki Moçkën dhe rivalizon me Likën.

Albi Alla – Flamurtari: Pak ditë më parë ishte futbollisti i Kukësit por i dha lamtumirën për të vazhduar karrierën te Flamurtari. Si për ironi të fatit, sot ai ishte njeriu që vendosi ndeshjen ndaj ish-skuadrës me golin e tij të parë në Superiore.

Tefik Osmani – Teuta: E kanë afruar në radhët e Teutës për eksperiencën dhe kjo shihet qartë kur kontrollon me qetësi çdo iniciativë të sulmuesve të Tiranës duke udhëhequr vijën e mbrojtjes dhe duke mos i lënë asnëj korridor në qendër. I afrohet edhe golit, por Abibi ia mohon me një ndërhyrje vendimtare.

Eglentin Gjoni – Laçi: I qetë kur ndërhyn ndaj Ymerajt për të shpëtuar skuadrën e tij nga goli i dytë, provon të bëhet protagonist në sulm dhe ia del mbanë. Fillimisht Ruçi i mohon gëzimin e golit, por në shtesë gardiani nuk mund të bëjë asgjë ndaj goditjes së mbrojtësit i cili është kthyer në një armë të fortë në lojën në ajër për kurbinasit.

Ndriçim Shtubina – Laçi: Luan kudo që ta aktivizosh, në mbrojtje, mesfushë apo sulm. Fakti që njeh mirë golin, e ka kthyer në një “xhol” për Mërgjyshin i cili shpesh e shtyn përpara në minutat e fundit të ndeshjeve, një skemë që rezultoi e suksesshme në ndeshjen ndaj Luftëtarit pasi me aftësitë e tij teknike solli pështjellim në prapavijën e gjirokastritëve duke gjetur edhe rrjetën.

Florent Avdyli – Teuta: Shkëmbi i ka besuar çelësat e mesfushës djaloshit të talentuar i cili është ndër të parët që ka insistuar të marrë me vete nga Kosova. Duke parë grintën dhe volumin e lojës së mesfushorit kuptohet qartësisht pse. I mungon goli në Superiore, por me këto ritme nuk do të vonojë shumë.

Bruno Telushi – Partizani: Shënon një gol me shumë peshë pasi i jep fitoren Partizanit dhe kthen qetësinë te të kuqtë para se të fillojë paniku i zakonshëm në radhët e skuadrës pas paraqitjeve jo edhe aq bindëse. Gega i ka dhënë detyrë të organizojë fazën mbrojtëse të mesfushës, por ai nuk harron as specialitetin e tij të gjuajtjeve nga distanca duke dhuruar me goditjen e tij të dënimit një nga golat më të bukur të këtij fillimi të kampionatit.

Benejam Demte – Skënderbeu: Gjen golin ne Superiore por mbi të gjitha tregon se mund të përshtatet në skemat e reja të lojës të Shehit. I lëvizshëm në kërkim të hapësirave, duket se është zëvendësuesi i denjë i Nimagës në radhët e korçarëve.

Lorenc Trashi – Partizani: Mbrojtje, mesfushë apo sulm. Trashi i bën të gjitha dhe në një ndeshje shumë delikate si ajo ndaj Kamzës, është elementi i cili provon me të gjitha mënyrat të shtyjë ekipin përpara. Një ndeshje me cilësi, por edhe me shumë volum në lojën e tij.

Dejvi Bregu – Skënderbeu: Një javë më parë fitoi penalltinë që vendosi ndeshjen ndaj Partizanit, ndaj Kastriotit u bë protagonist vetë me një gol të shkëlqyer me goditje dënimi dhe më pas me një kundërsulm vrasës në mbyllje të ndeshjes, nga ata me të cilët na kishte mësuar te Luftëtari. Që tani kanë filluar të dëgjohen zërat për një ftesë të mundshme në Kombëtare.

Vasil Shkurtaj – Luftëtari: Luftëtari mundet, por nëse i shkoi shumë pranë një rezultati pozitiv në Laç, ishte falë Shkurtajt. Kundërsulm prej sulmuesi race dhe goditje perfekte për t’i dhënë avantazhin skuadrës ë tij. Më pas, shumë dyluftime me mbrojtësit kundërshtarë, i harruar i vetëm nga shokët e skuadrës. Nëse Luftëtari kërkon të mbijetojë, duhet medoemos t’i gjejë “shokë” Shkurtajt.

Image

Facebook Comments

MineralHygienics.com