November 25, 2024

Tatimet do të aplikojnë një sistem të ri faturimi

Administrata Tatimore do të aplikojë së shpejti një sistem të ri teknologjik të faturimit.

Projekti i fiskalizimit synon krijimin e një sistemi on line të mbikqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes.

Sipas Ministrisë së Financave, sistemi i ri ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010, do të lidhet edhe me modulin aktual të manaxhimit të riskut në tatime e më pas edhe në dogana, për të mundësur një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve.

Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës, kur mbyllet kasa manualisht.

Sistemi aktual është i centralizuar; nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë.

Në të njëjtën kohë, me sistemin aktual mungon një analize e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit; nuk identifikohen faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe për shkak të mos-deklarimit të shitësit dhe blerësit, elemente këto të domosdoshme për efektivitetin e punës së administratës tatimore.

Sistemi i ri, përveç se adreson këto mangësi, sjell edhe disa risi të rëndësishme:

· Është një sistem gjithëpërfshirës që mbulon transaksionet Biznes-Konsumatorë (B2C) dhe Biznes-Biznes (B2B);

· Do të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore;

· Do të mundesojë plotesimin automatik të formularëve që tatimpaguesit duhet të dorezojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes, apo të para-plotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH);

· Në transaksionet B2B, do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së.

Projekti i fiskalizimit është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e dixhitalizimit të administratës fiskale, në favor të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe uljes së evazionit fiskal si dhe transformimit në të njëjtën kohë të marrëdhënies dhe bashkëveprimit mes administratës fiskale dhe tatimpaguesve.

Facebook Comments

MineralHygienics.com