December 30, 2024

Raporti kundër shkëmbimit të territoreve të Kosovës, që Këshilli Amerikan i dërgoi DASH

“Mundësia e shkëmbimeve territoriale nuk mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje paketë, që përfshin edhe kompromise të tjera”. Kështu gjykon “Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë” në SHBA, në raportin që i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me kufijtë e Kosovës, çështje aq e debatuehsme në këto momente.

Grupi këshillues amerikan, i cili merret me përgatitjen e strategjive të politikës së jashtme, në një studim në maj 2018, kërkon nga vendimmarrësit amerikanë, një rritje të prezencës së tyre në rajonin e Ballkanit dhe një angazhim për të mos lejuar, që çështja e kufijve të Kosovës, të kthehet në një shqetësim për tërë rajonin. Raporti në fjalë, merr në analizë vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, pra ato të cilat janë kandidate për në Bashkimin Evropian. Kosova zë një vend të rëndësishëm në këtë studim, pasi raporti i paraprin edhe diskutimeve aktuale, të cilat po bëhen në lidhje me shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve. Ne po e paraqesim të plotë këtë raport, i cili publikohet për herë të parë në shqip.

Pjesë nga raporti:

Kosova është duke u futur drejt një konflikti të ngrirë për sa i përket statusit e saj, kjo do ta bëjë çështjen e statusit tepër kontestues dhe me efekt ndërkombëtar, si rrjedhojë ky do të jetë edhe realiteti i saj fatkeq. Dekada e fundit ka dëshmuar, se edhe njohja nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, nuk pritet të ketë ndryshime të tjera, për sa i përket statusit të Kosovës. Këtu futen edhe ato shtete të cilat, kanë një qëndrim më të zbutur ndaj Serbisë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve kërkon që, Serbia dhe Kosova të pajtohen mbi mundësinë e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ky normalizim do të jepte përfitime të mëdha për rajonin. Do të sillte Serbinë më afër me Bashkimin Evropian dhe do t’i mundësojë Kosovës të ndjekë rrugën për një anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në strukturat e “INTERPOL”, për shembull, do të lejojë bashkëpunim dhe koordinim më të madh me Kosovën, në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Me kalimin e kohës dhe me një normalizim të tensioneve midis dy vendeve, do të mundësojë gjithashtu një rritje dhe një prani më të madhe të Forcave Sigurisë së Kosovës dhe një reduktim të forcave të KFOR-it, të cilat përfshijnë edhe shumë forca nga SHBA-ja. Përsëritja e konfliktit, gjithashtu paraqet një mundësi të artë dhe të vazhdueshme, për rritjen e ndërhyrjes ruse në Ballkan, duke përdorur si levë Serbinë, aleatin e saj tradicional. Normalizimi i marrëdhënieve, midis Kosovës dhe Serbisë, është shumë i nevojshëm, për të shmangur të gjitha pengesat. Të dy vendet, kanë arritur një numër marrëveshjesh, për çështje të ndryshme, si krijimi i zyrave përfaqësuese, në Beograd dhe Prishtinë, çështja e energjisë, rikualifikimi i diplomave të studentëve, ku përfshihet edhe ekuivalentimi i tyre, menaxhimi i kufirit dhe përmirësimi i procedurave doganore. Megjithatë janë shumë çështje të tjera, të cilat nuk janë zbatuar plotësisht. Në një vlerësim minimal, marrëveshjet ekzistuese duhet të jenë plotësisht të kryera në mirëbesim nga të dy palët. Sa për çështjet e pazgjidhura, të cilat kërkojnë negociata dhe marrëveshje, palët duhet të inkurajohen të pajtohen në nivelin më të lartë, me një “udhërrëfyes”, të cilat shpjegojnë, hapat për të çuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në lidhje me këtë, Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë Bashkimin Evropian, për të ringjallur dialogun Kosovë-Serbi, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Por edhe ky dialog mund të mos ketë sukses në arritjen e këtij normalizimi. Propozime të reja dhe krijuese mund të duhet të përgatiten përsëri në ditët që vijnë.

Shkëmbimi territorial

Presidenti i Serbisë Vuçiç ka lënë të kuptohet për mundësinë e një pazari të madh, “që mund të përfshijë një shkëmbim territorial, midis Kosovës dhe Serbisë”. Pavarësisht nga tërheqja, në fillim të idesë për diskutime të çështjeve territoriale, me idenë se Kosova mund të rrëshqasë drejt një konflikti të ngrirë, ne mendojmë se mundësia e shkëmbimeve territoriale nuk ka ardhur akoma, madje nuk mund të jetë as pjesë e një zgjidhjeje paketë, që përfshin të tjera kompromise. Nuk është akoma e qartë nëse udhëheqësit serbë, mund të dalin me një propozim, që mund të provokojë një opozitë intensive në Kosovë. Në çdo ngjarje dhe situatë duhet theksuar se kufijtë e Kosovës janë të brishtë dhe sa për negociatat, mund të sjellë efekte shkatërruese për të gjithë Ballkanin. Përveç angazhimit aktiv të Kosovës në këtë dialog, Kosova duhet të marrë vendime dhe veprime të pavarura, për të riafirmuar angazhimin e saj ndaj parimeve, të cilat mbështesin Kriteret e Kopenhagenit. Puna e Gjykatës Speciale duhet të mbështetet dhe asnjëherë të mos pengohet. Njëkohësisht, SHBA-ja dhe BE-ja, do të ishte mirë të këshilloheshin, për të planifikuar për pasojat e shpalljes së aktakuzave. SHBA dhe BE-ja, duhet të jenë gati, me mesazhet e mbështetjes për stabilitetin e vendit. SHBA duhet të inkurajojnë BE-në, për të riafirmuar, se Kosova mbetet në një rrugë të besueshme për çështjen e pranimit, edhe nëse mbetet shumë punë për t’u bërë. Ajo duhet t’i bëjë të qartë Serbisë, se anëtarësimi i saj në BE, kërkon njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht, t’i bëjë të qartë Serbisë, se, sapo ajo, të jetë bashkuar më Bashkimin Evropian, nuk mund të pengojë anëtarësimin eventual të Kosovës në Bashkimin Evropian.

SHBA

Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje që nuk krijon destabilitet në rajon

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, raportojnë mediat kosovare. Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila (duke mos saktësuar nëse SHBA-të mbështesin apo jo opsionin e korrigjimit të kufijve), ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje e cila nuk sjell destabilitet në rajon. “Përmbajtja e çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe BE-në si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon de-stabilitet në cilindo shtet apo në rajon. Kjo do të kërkojë vizion dhe fleksibilitet në të dy anët”, thuhet në përgjigje. Më tej, thuhet se SHBA do ta vështrojë me shumë kujdes këtë proces dhe atë për të cilën dy palët do të bëjnë ujdi. “Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë mbi procesin, që të pakësojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive. Në këtë pikë ne nuk duam të hyjmë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociatat. Ne do të vështrojmë shumë seriozisht dhe me shumë kujdes atë për të cilën palët bien dakord”, theksohet tutje. Megjithëkëtë, një gjë e tillë sipas përgjigjes së ambasadës së SHBA-të nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit. “Për aq sa kemi shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshje të propozuar, ne do të jemi të qartë me palët lidhur me këto”, nënvizohet në fund të kësaj përgjigjeje. Ndërkohë, presidenti i Kosovs Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar se në Bruksel do të diskutohet rreth korrigjimit të kufijve me Serbinë. Në kuadër të korrigjimit sipas kreut të shtetit do të bisedohet edhe për bashkimin e Luginës me Kosovën. Pos kësaj, ditëve të fundit edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është zotuar se do të punojë për ndarjen e serbëve nga shqiptarët e Kosovës/Shekulli

Facebook Comments

MineralHygienics.com