April 24, 2024

“Hilton” vjen në Tiranë, hoteli prestigjioz hap dyert në shtator

Është folur prej vitit të kaluar për të. Por, në shtator do të mirëpresë miqtë-klientë.

Flasim për markën ndërkombëtare në fushën e hotelerisë Hilton. Në Bulevardin Gjergj Fishta, përgjatë unazës, në pallatin Albas, shfaqet hyrja tipike e Hilton, ndërsa brenda gjithçka ka përfunduar dhe po u jepet “dorë” detajeve të fundit.

Hilton vjen në Shqipëri me “Hilton Garden Inn” një hotel që i drejtohet një klientele me të ardhura mesatare.

Menaxheri i Përgjithshëm i Hilton, z. Michael Walker, thotë ndërsa na njeh me ambientet e hotelit, se, “Jemi të lumtur të sjellim mikpritjen e Hilton Garden Inn në Tiranë. Frekuentuesit e hoteleve Hilton Garden Inn në mbarë botën gëzojnë akomodim të rehatshëm dhe të përballueshëm, pajisje moderne dhe “Hilton Garden Inn Promise”, i cila afirmon qëllimin e markës për t’i siguruar çdo mysafiri një eksperiencë “better and brighter”.

Përkujdesja e sjellja miqësore me klientët, na thuhet se është ajo çfarë personifikon Hilton.

Klima miqësore e një hoteli ndërkombëtar dhe një lidhje shumë e natyrshme me Shqipërinë, vjen jo vetëm përmes shërbimit, por edhe përmes investitorit Shqipetare.

Në Hilton Garden Inn, do t’ju bëjnë përshtypje në holl, në bar, në dhomat e gjumit, punimet artistike e fotografitë me motive dhe vende të Shqipërisë. Në këtë mënyrë sipas, z. Walker, Hilton njeh klientët e huaj me kulturën dhe turizmin Shqipetare. Por krahas kësaj, a e dinit që Menaxheri i Përgjithshëm i Hilton, pra Waker është martuar me një vajzë shqipetare?!…

Me dhoma të rehatshme, një sërë mundësish për ngrënie dhe hapësira të konsiderueshme për takime apo aktivitete, Hilton Garden Inn Tirana është vendi ideal si për udhëtarët e biznesit, ashtu dhe për ata që duan të kalojnë kohë të lirë.

Në aspektin e inovacionit, mysafirët të cilët janë anëtarë të Hilton Honors (programi Hilton i vlerësuar me çmime fitimprurëse për klientët) mund të përfitojnë benefite të ndryshme, përfshirë edhe mjete dixhitale të njohura të disponueshme ekskluzivisht përmes aplikacionit celular Hilton Honors.

Mysafirët e parë do të priten, pas hapjes me 30 gusht. “Zyra e zhvillimit të biznesit e Hilton nënshkroi një marrëveshje menaxhimi me z. Ali Selmani për të hapur Hilton Garden Inn Tirana në 2014 – dhe ne jemi të ngazëllyer që po hapim hotelin e parë Hilton në Shqipëri. Hilton do të mirëpriste mundësinë për të eksploruar projekte të mëtejshme në Shqipëri, por nuk kemi ndonjë projekt konkret për të konfirmuar në këtë fazë”, tha z. Walker.

Me një largësi 20 minuta nga aeroporti i Tiranës dhe 5 minuta nga qendra e Kryeqytetit, në Garden Grille & Bar® restaurant mund të shijohet kushina vendase dhe ajo ndërkombëtare. Avantazh është shërbimi në dhomë. Bari është i përkyer për një kokteil pas pune ndërsa dyqani me produkte vendase në holl është i hapur për një snack apo edhe blerje për udhëtim. Përmes qendrës së fitnesit dhe qendrës së biznesit të hapur në 24 orë, ju mund të jeni në formë dhe produktivë. Hoteli ka një sipërfaqe prej 9,600 metër katror salla takimesh dhe evente me një kapacitet deri në 500 vizitorë.

businessmag

Facebook Comments

MineralHygienics.com