Nga Klajda Gjosha
Sondazhi i fundit i CRCA në Shqipëri dhe Rrjetit Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri, tregon për një situatë alarmante, ku 70% e të rinjve kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të jetuar në një nga vendet e BE-së.
Dhe ajo çka të trondit më shumë është fakti se edhe pse qeveria është në dijeni të këtij fakti ajo refuzon paturpësisht të zbatoj Planin Kombëtar të rinisë që e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet çdo pike të saj me përpikmëri.
Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri konstaton gjithashtu se qeveria ka dedikuar vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri.
Nëse 70% e të rinjve kërkon të largohet, nëse profesionistët dhe shtresa e mesme kërkon të largohet, imagjinoni se si do të ishte Shqipëria e së ardhmes. E nëse kjo nuk quhet emergjencë kombëtare realisht nuk di se çfarë do të ishte më alarmante se kaq!
Asgjë nuk ka vlerë më shumë se shpresa dhe ëndrra e rinisë. Fundja e ardhmja varet nga energjia, puna dhe kontributi i tyre. Me këtë qeveri dhe me këto ritme duket se edhe mosha e tretë do të kërkoj largimin nga Shqipëria!
Nevoja për politika punësimi dhe arsim cilësor është domosdoshmëri, por mbi të gjitha është detyrim dhe përgjegjësi e çdo qeverie!