Presidenti Amerikan riktheu në fuqi sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Iranit.
Urdhëri ekzekutiv i Donald Trump-it hyri në fuqi mesnatën mes të hënës dhe të martës, duke shënuar implementimin e plotë të planit për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e 2015 mes Teheranit dhe fuqive të mëdha.
Sanksionet e Uashingtonit ndalojnë tregtinë e arit dhe metaleve të çmuara me Iranin, po ashtu edhe të aluminit, çelikut, qymyrit dhe programeve kompjuterike, të përdorura për industrinë.
Qeverisë iraniane i ndalohet gjithashtu blerja e monedhës amerikane dhe transaksionet në monedhën vendase, çka pritet të dëmtojë rëndë tregtinë me jashtë.
Për presidentin iranian Hasan Rohani, sanksionet janë “luftë psikologjike” që synon destabilizimin e Iranit. Ai paralajmëroi kundërmasa të ashpra.
Rikthimi i sanksioneve është kritikuar edhe nga vendet e Bashkimit Europian, që ishin kundër largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore.
Analistët thonë se sanksionet do ta thellojnë edhe më tej krizën ekonomike iraniane, pasojë e të cilës ishin disa revolta të përgjakshme gjatë këtij viti.
Tërheqja e Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore çoi në përgjysmimin e vlerës së monedhës iraniane dhe pritet ta thellojë rënien e saj.