Duket si një sabotim i vërtetë ky sezon turistik në Lezhë.
Edhe pse në rrjet ka nisur ironia me shifrat e dhëna nga Edi Rama për 10 milionë turistët që do të vinin në Shqipëri, situata duket shumë më e rëndë se realiteti.
Thuajse në të gjithë bregdetin plazhet janë të boshatisura edhe pse është fillimi i muajit gusht, kur duhet të ishin plot, pasi ka nisur edhe sezoni i pushimeve të administratës.
Por kjo që po ndodh në 24 orët e fundit në bregdetin e Lezhës, duket vërtetë si një sabotim nga ana e OSHEE-së që ka vendosur të lëjë pa energji elektrike gjithë bregdetin.
Mungesa e energjisë elektrike në plazhin e Tales në Lezhë ka bërë që bizneset të bllokojnë aktivitetin e tyre, ndërsa pushuesit kanë nisur të largohen.
Kjo është një situatë që përsëritet gjatë këtij sezonit turistik dhe ka penalizuar bizneset në këtë plazh.
Gazetarët lokalë tregojnë se energjia elektrike është me luhatje të shumta.
Numri i pushuesve në Tale por edhe në Shëngjin, referuar asaj që thonë bizneset është më i ulët se sezonin e shkuar.